Milanit i lëndohen Morata dhe Loftus-Cheek

Álvaro Morata dhe Ruben Loftus-Cheek pritet të mungojnë për një periudhë të caktuar pas dëmtimeve të pësuara gjatë fitores 2-1 ndaj Red Star në Ligën e Kampionëve të mërkurën mbrëma, por sipas raportimeve të para, dëmtimi i mesfushorit anglez konsiderohet më i rëndë se ai i spanjollit.

Të dy lojtarët u detyruan të largoheshin nga loja rreth gjysmë ore pas fillimit të ndeshjes në “San Siro” dhe u zëvendësuan nga Tammy Abraham dhe Samuel Chukwueze për pjesën e mbetur të lojës.

Të enjten në mëngjes, ata iu nënshtruan ekzaminimeve mjekësore në qendrën stërvitore të Milanit, Milanello.

Sipas raportimeve të “La Gazzetta dello Sport”, Morata ka pësuar një dëmtim në muskujt aduktorë, ndërsa Loftus-Cheek ka pësuar një këputje të muskulit biceps femoral në pjesën e pasme të kofshës.

Morata pritet të mungojë në ndeshjet e ardhshme të Milanit në Serie A kundër Genoas dhe Hellas Veronas, por mund të rikthehet para fundit të vitit kalendarik, kur “Rossonerët” do të presin Romën më 29 dhjetor.

Nga ana tjetër, Loftus-Cheek do të mungojë për një periudhë më të gjatë dhe pritet të rivlerësohet pas rreth 10 ditësh.