Aktori mbledh shqiptarët e Amerikës: Natën punoj me kamion, ditën organizoj shfaqje madhështore

Mariglen Faslli është aktori shqiptar që ka organizuar një mbrëmje të veçantë në SHBA. Ai bëri bashkë shqiptarët e Amerikës në një shfaqje madhështore me rastin e Pavarësisë.

Marigleni tregoi se ishin 500 të ftuar nga shtatë shtete të Amerikës.

Sakaq, ai u ndal dhe te jeta private, duke theksuar se mes shumë vështirësive punon shofer kamioni.

“Më mirë filmi se teatri për mua, pasi ke mundësi ta ndalosh kur je gabim. Ndërsa, në teatër nëse gabon nuk ke çfarë bën.

Unë të tria i kam bërë, komedi, dramë dhe tragjedi. Teatri është magji. Shumë mua më njohin si aktor komedie, nuk e dinë që unë kam luajtur dhe tragjedi.

Fati im ishte që erdhën shumë njerëz dhe që unë kisha pranë mikun dhe kolegun tim Aleksandër Prodanin. Edhe ai erdhi, iu përgjigj ftesës.

Unë në Amerikë punoj si shofer kamioni. Nuk ka shtet të Amerikës që nuk e kam shkelur. Kam kuptuar se sa e vogël është bota. Unë jetoj në Boston, po udhëtoj në çdo moment. Është punë e vështirë, sepse mendon për jetën e tjetrit. Kur shkon për shembull në shkretëtirë, je vetëm”, tha ai. /abcnews