Ligji për sigurimet shëndetësore shihet si parakusht për rritjen ekonomike

Ligji i sigurimeve shëndetësore në Kosovë, si parakusht për rritjen ekonomike, ishte temë diskutimi në konferencën vjetore të organizuar nga Asociacioni i Spitaleve Private të Kosovës (ASPK).

Në këtë diskutim u mirëprit miratimi i Ligjit për Sigurime Shëndetësore, me ç’rast u theksua roli i rëndësishëm i spitaleve private në kujdesin shëndetësor të pacientëve.

Kryetar i Spitaleve Private në Portugali, Oscar Gaspar, ka thënë se shumica e shërbimeve private në këtë shtet i takojnë sektorit privat, ndërsa në përgjithësi rreth 5 për qind e Bruto Produktit Vendor në botë shkon për kujdesin shëndetësor.

“Në Portugali shumica e shërbimeve, ofruesve janë privat dhe po flasim për spitale, laboratorë, diagnostikime, barna dhe ofrimi bëhet nga sektori private, por komponentë kryesore e financimit janë publike, që do të thotë se me 66 për qind, dy te treta shkon në sektorin privat. Nën mesataren e BE-së, 2008 euro për kokë banori në vit investohen, në grafiken e dytë thotë që njerëzit shpenzojnë diku 5 për qind të PPV-së në kujdesin shëndetësor. Në Portugali dikur 30 për qind e financimeve financohen drejtpërdrejt nga vetë pacientet, kur shkojnë tek ofruesit privat apo konsumojnë barna. Pra 30 për qind prej gjepit kjo është një shifër e madhe dhe duhet ta zvogëlojmë këtë”, ka thënë ai.

Drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore në Kosovë, Amir Keka, ka thënë se sektori publik dhe ai privat mund ta plotësojnë njëri-tjetrin për ta krijuar një sistem shëndetësor më efikas.

“Është e nevojshme që të veprojmë më shumë për të siguruar një sistem shëndetësor që siguron nevojat e të gjithëve. Bashkëpunimi mes këtyre sektorëve është një mundësi që mund të sjellë shumë përftime për pacientët dhe sistemin shëndetësor në përgjithësi. Sektori publik i cili përgjegjësinë kryesore e ka ofrimin e shërbimeve për të gjithë qytetarët dhe sektori privat që shpesh ofron mundësi të shpeshta dhe fleksibile mund ta plotësojnë njëri-tjetrin për ta krijuar një sistem shëndetësor më efikas. Ky bashkëpunim mund të ndihmojë në promovimin e një qasje të integruar të sistemit shëndetësor për të zhvilluar programet e edukatës për shëndetin dhe për të krijuar mundësi të reja për trajtimin e sëmundjeve kronike, parandalimin e problemeve shëndetësore”, ka thënë Keka, teksa foli edhe për rolin që e ka institucioni që ai e drejton.

“Sektori privat mund të ofrojë mundësi për trajnime të avancuara dhe specializuara për punonjësit e shëndetësisë dhe me këtë gjë mund të përfitojnë edhe institucionet publike duke rritur nivelin e ekspertizës dhe duke ofruar shërbime më të mira për pacientin…Sa i përket Fondit të Sigurimeve Shëndetësore konsideroj se një pjesë të lobimit të zhvillimit të politikave i përmendi edhe ministri. Fatmirësisht Ligji për Sigurime Shëndetësore tashmë është miratuar dhe i njëjti me fillimin e implementimit të tij do të na mundësojë që të evitojmë shumicën e sfidave. Ne si Fond i Sigurimeve Shëndetësore jemi zotuar dhe e kemi dëshmuar se jemi te gatshëm për bashkëpunim për arsye se siç e dini aktualisht ne kemi si funksion kryesor programin për trajtime mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore dhe mbështetjen financiare qe e ofrojmë për pacientët tanë”, ka thënë ai.

Kryetari i Odës Ekonomike në Kosovë, Lulzim Rafuna, konsideron se sigurimi shëndetësor është parakusht themeltar për rritjen e qëndrueshme ekonomike.

“Si anëtar të Këshillit Nacional për Sigurinë dhe Shëndetin në punë dhe të Këshillit ekonomiko-social, edhe pse momentalisht nuk janë funksionale, OEK-u do të ishte një partner kyç dhe do të jetë një partner kyç në të ardhmen kur do të funksionaizohen këto këshilla në lidhje me sigurimin shëndetësor. Ne besojmë se këto forume janë platforma më të domosdoshme për të garantuar një koordinim efektiv dhe për të ndihmuar në arritjen e objektivave të përbashkëta për mirëqenien dhe sigurimin e punonjësve dhe mbarë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Sigurimi shëndetësor i popullatës, me theks të veçantë i punonjësve është një parakusht themeltar për rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe zhvillimin e përgjithshëm të vendit tonë. Punonjësit e shëndetshëm ndihmojmë që kompanitë të jenë me produktive dhe kompanitë produktive janë forca lëvizëse e përparimit ekonomik të shtetit të Kosovës”, tha Rafuna.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka kërkuar që para se të fillojë implementimi i Ligjit për sigurime shëndetësore, autoritetet përkatëse të bëjnë të gjitha përgatitjet e nevojshme.

“Zbatimi i këtij ligji paraqet një mundësi të rëndësishme për transformimin e sistemit të kujdesit shëndetësor në Kosovë. Jo vetëm që hap rrugë për qasje në të madhe dhe cilësore në shërbimet shëndetësore për qytetarët tanë por në të njëjtën kohë mundëson edhe forcimin e shërbimeve ne sektorin privat në kujdesin shëndetësor… Ngjarjet si këto theksojnë rëndësinë e dialogut të hapur dhe vazhdueshëm të bashkëpunimit në frymëzimin e të ardhmes të sistemit shëndetësor të Kosovës. Ligji i Sigurimeve Shëndetësore ofron një kornizë që mundësoj bashkëpunimin ndërmjet aktorëve në sektorin publik dhe atij privat, bashkë me ligjin për shëndetësi në të njëjtën kohë… Ligji për sigurime shëndetësore krijon kushte për investime të qëndrueshme, infrastrukturë të përmirësuar dhe ofrimin e përmirësuar të shërbimeve në të njëjtën kohë. Partneriteti ndërmjet hisedarëve në sektorin publik dhe privat është esencial për arritjen e një sistemi më të, megjithatë është qëndrim i Odës Amerikane që përpara se të fillojë zbatimi i ligjit është me rëndësi që autoritetet përkatëse të bëjnë të gjitha përgatitjet e nevojshme”, ka thënë ai.