35-vjeçari rrëfen si e hodhi nga ura viktimën në Durrës: Më kishte ngacmuar gruan, s’doja ta vrisja
A2 CNN ka zbardhur dëshminë e Majlind Habibit, i cili dyshohet të jetë autori i ngjarjes së regjistruar 5 ditë më parë në Spitallë të Durrësit.
Sipas të dhënave nga grupi hetimor, 35-vjeçari ka shfaqur pendesë për aktin e kryer, duke pohuar se është shtyrë nga rrethanat e momentit të krijuar me viktimën, e identifikuar si Branko Shkoza (33 vjeç).
Autori ka rrëfyer para hetuesve se një ngacmim i Shkozës ndaj bashkëshortes së Habibit dhe ofendimet përkundrejt tij në momentin që i kërkoi të mos e përsëriste, e kanë shtyrë që t’i merrte jetën 33-vjeçarit.
“Shkak për sherrin u bë fakti se më kishte ngacmuar gruan. Unë nuk doja ta vrisja. Po në një moment e shtyva. Nuk kisha për qëllim që ta vrisja. I kërkova të mos më ngacmonte bashkëshorten. Ai m’u përgjigj shumë keq, më ofendoi. Me tha: ‘Shiko bëj ndonjë punë tjetër se i zgjidh vetë hallet gruaja jote’. Në këtë moment mu errësuan sytë dhe nuk mendova gjatë. E shtyva dhe ai përfundoi në kanal. Unë më pas u largova në shtëpi dhe e lash aty”, ka rrëfyer 35-vjeçari.
Më tej ai ka thënë në polici se nuk i kishte shkuar ndër mend që Shkoza mund të kishte humbur jetën si pasojë e shtyrjes që i bëri.
“Nuk mendova se kishte vdekur, thash me vete se do ngrihet prapë se në ujë ra. Ditën e dytë mësova se nuk kishte shkuar në shtëpi. Shkova sërish ditën e dytë te vendi ku u përleshëm dhe pash që trupi i tij ishte spostuar disa metra nga vendi. Nuk kisha guxim të tregoja se çfarë kishte ndodhur. Më kapi paniku. Kur e gjetën trupin e tij dhe e mori policia dhe ambulanca thashë nuk kanë për ta kuptuar, por do mendojnë se ka rënë vetë se edhe pinte alkool. Jam penduar shumë, por nuk i kisha asnjë borxh. Më kishte rënë në qafë”, mësohet të ketë deklaruar autori para hetuesve.