Konfiskohen mbi 105 mijë euro në Gjilan, dyshohet se janë të falsifikuara

Policia e Kosovës zbulon dhe konfiskon 105,000 euro të dyshuara si të falsifikuara në rajonin e Gjilanit

Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, ka realizuar një operacion të suksesshëm më 9 dhjetor 2024.

Ky aksion erdhi pas marrjes së informacioneve mbi tentativat për qarkullimin e shumave të mëdha të parave të falsifikuara në rajonin e Gjilanit.

Gjatë veprimeve hetimore, policia ndaloi një automjet me targa vendore, të cilin e drejtonte një person i dyshuar, shtetas kosovar.

Gjatë kontrollit në automjet, u gjetën dhe u konfiskuan 105,000 euro të dyshuara si të falsifikuara.

Po ashtu, u krye kontroll në shtëpinë e të dyshuarit, ku u gjet një makinë për numërimin e parave. Policia ka sekuestruar si prova materiale:

100,000 € në kartëmonedha prej 200 €.

5,000 € në kartëmonedha prej 100 €.

1 makinë për numërimin e parave.

3 telefona celularë.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe po hetohet për veprat penale “Falsifikimi i parasë” dhe “Pastrim i parasë”.

Policia e Kosovës thotë se mbetet e përkushtuar për parandalimin e aktiviteteve kriminale dhe mbrojtjen e integritetit ekonomik të vendit./Telegrafi/