Konfiskohen mbi 105 mijë euro në Gjilan, arrestohet një i dyshuar

Policia e Kosovës në koordinim edhe me Prokurorinë Speciale të Kosovës me datë 09.12.2024 ka realizuar planin taktik, pasi janë pranuar informacione se në rajonin e Gjilanit disa persona të dyshuar janë duke tentuar të vënë në qarkullim shuma të mëdha të parave të falsifikuara.

Lidhur me rastin gjatë veprimeve hetimore në mënyrë të kontrolluar është ndaluar automjeti me targa vendore të cilin ishte duke e drejtuar i dyshuari mashkull kosovar, ku gjatë kontrollit të realizuar në veturë janë gjetur dhe konfiskuar 105,000.00 €uro për të cilat ekziston dyshimi se janë para të falsifikuara.

Në lidhje me rastin është kryer kontrolli i shtëpisë së të dyshuarit ku është gjetur makina për numërimin e parave. Në këtë rast në total janë sekuestruar provat si në vijim: 100,000.00 €uro kartëmonedha nga 200 €uro,  5000.00 €uro kartëmonedha nga 100 €uro, 1 makinë për numërimin e parave dhe 3 telefona celular.

Lidhur me rastin me vendimin e prokurorit i dyshuari i lartcekur dërgohet në mbajtje për 48 orë, nën dyshimin për kryerje të veprave ‘’Falsifikimi i parasë’’ dhe ‘’Pastrim i parasë’’.