KEK-u njofton se po vazhdon pastrimi i binarëve industrialë
Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se po vazhdon pastrimi i binarëve industrialë.
Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi të lëshuar për media.
“Njësia për Menaxhimin e Projekteve, Pastrimin dhe Rikultivimin e Tokave (NJMPPRT) ka filluar pastrimin e binarëve industrialë më datë 18.11.2024. Pastrimi i binarëve industrialë të TC ‘Kosova B’ po vazhdon të zhvillohet sipas planit dinamik dhe aktualisht është duke u realizuar nga Obiliqi në drejtim të fshatit Plemetin. Pastrimi i fundit i realizuar ka përfshirë largimin e masave të dheut, shkurreve dhe barishteve përgjatë vijës së infrastrukturës së hekurudhës industriale”, thuhet në njoftim.
Tutje, KEK-u thekson se ky proces po bëhet me qëllim të funksionalizimit të binarëve industrialë, të cilët kanë një gjatësi prej 4 mijë e 418 metrash dhe janë binarë standard me një dimension prej 1 mijë e 435 milimetra.
Me përfundimin e këtij projekti, hekurudha industriale parashikohet të shfrytëzohet në të ardhmen e afërt për transportin e nevojave të korporatës.