Xhensila flet për herë të parë për këngën “Mosmirënjohja”, a iu dedikua asaj balada e Bes Kallakut dhe Eli Malajt?

Këngëtarja Xhensila Myrtezaj ka qënë e ftuar në emisionin “Mirëmbrëma Yje”, ku ka ndarë një intervistë ekskluzive me moderatoren Arbana Osmani.

Për herë të parë, ajo ka folur për polemikat që kanë rrethuar këngën “Mosmirënjohja” të ish-bashkëshortit të saj, Bes Kallaku, të cilën ky i fundit e publikoi në bashkëpunim me Eli Malajn pas ndarjes zyrtare të çiftit.

Kënga, e cila u publikua në maj, është interpretuar nga fansat si një dedikim i mundshëm për Xhensilën. Teksti trajton temën e mosmirënjohjes, duke sugjeruar ndjenja zhgënjimi dhe mungesë vlerësimi nga një person i afër. Fansat aluduan se vargjet mund të lidhen me fillimet e karrierës së Xhensilës, ku roli i Besit në suksesin e saj ishte i dukshëm.

E pyetur nga Arbana Osmani lidhur me ndjenjat e saj për këngën, Xhensila deklaroi: “Historia e këngës nuk më përket mua, kështu që s’kisha se si ta merrja personale, Arbana. Por mendoj që ishte një lëvizje teknike e zgjuar në një moment kritik për të marrë vëmendjen e duhur, gjë që e bëri. Unë kam profesion muzikën, ndërsa ai është një aktor shumë i mirë. Por gjithsesi nuk besoj që babai i fëmijës së mi do të bënte këngë të tilla me dashje për të sulmuar apo prekur figurën e nënës së fëmijës së tij. Nuk e besoj këtë gjë, nuk ka se si të ndodhë”.

Me këto fjalë, Xhensila theksoi se nuk e shikon këngën si një sulm personal dhe se zgjedhja e saj është të fokusohet në karrierën dhe muzikën e saj.

Pavarësisht polemikave, kënga ka pasur sukses të madh, duke u bërë një prej projekteve më të diskutuara të vitit.