Ushtria siriane tërhiqet nga qyteti Hama pas përparimit të rebelëve
Ushtria siriane ka ridislokuar trupat “për të mbrojtur jetën e civilëve dhe për të parandaluar luftimet në qytet”, pasi rebelët e udhëhequr nga islamistët hynë në qytetin kyç, Hama. Kjo është një humbje tjetër për presidentin sirian, Bashar al-Assad, dhe për aleatët e tij, Rusinë dhe Iranin.
“Në orët e fundit, pas intensifikimit të përleshjeve mes ushtarëve tanë dhe grupeve terroriste... këto grupe terrorist arritën të thyenin një numër të boshteve të qytetit dhe hynë në të”, tha ushtria siriane.
Hama – qyteti i katër më i madh në Siri – është qytet i rëndësishëm për mbrojtjen e Damaskut dhe është portë për qytetet detare të Tartusit dhe Latakias, në njërën prej të cilave gjendet edhe një bazë detare ruse.
Një ditë më herët, forcat siriane dhe ruse kryen sulme ajrore me qëllim që të ndalnin përparimin e rebelëve.
“Me [përparimin në Hama], Assadi është në telashe të mëdha. Homsi është qyteti i radhës dhe zonat e tij rurale janë të përshtatshme për të lehtësuar një përparim të opozitës”, shkroi në X, Charles Lister, hulumtues i lartë dhe drejtor i programeve për Sirinë dhe luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit në Institutin e Lindjes së Mesme.
Rebelët, e udhëhequr nga grupi islamist, Hayat Tahrir al-Sham (HTS), kanë bërë përparime të mëdha në ditët e fundit, përfshirë edhe marrjen e Alepos, qytetit më të madh në Siri. Rebelët po ashtu kanë marrë nën kontroll 14 fshatra dhe qyteza dhe i janë afruar deri në 35 kilometra Bazës Ajrore Khmeimim, që operohet nga rusët.
Siria ia dha këtë bazë ajrore Rusisë më 2015, pasi Moska e ndihmoi Damaskun që ta kthejë rrjedhën e luftës civile në favor të tij.
Përveç HTS-së – që është organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara – rebelët përbëhen edhe nga një grup ombrellë i milicive siriane që mbështeten nga Turqia, që njihet me emrin Ushtria Kombëtare Siriane.
Kombet e Bashkuara kanë thënë se dhjetëra mijëra civilë janë zhvendosur si pasojë e luftimeve. /REL