FFK-ja procedoi në CAS ankesën ndaj vendimit për ndeshjen Rumani – Kosovë

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka njoftuar opinionin se ka proceduar në CAS ankesën ndaj vendimit të UEFA-s në lidhje me ndeshjen Rumani - Kosovë, e cila iu dha vendasve me rezultat zyrtar 3-0.

Kombëtarja e Kosovës la fushën në minutën e 90-të në ndeshjen në udhëtim te Rumania kur rezultati ishte 0-0, shkaku i thirrjeve raciste dhe ksenofobike.

Disa ditë pas ndeshjes, UEFA vendosi që fitoren në tavolinë me rezultat zyrtar 3-0 t’ia japë vendasve rumunë, teksa Kosova u dënua edhe me 6 mijë euro shkaku që nuk pranoi të kthehet në fushë.

Megjithatë, ndaj këtij vendimi ka vendosur të ankohet FFK-ja, e cila ka njoftuar se ka proceduar ankesën në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS).

“Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin publik se në afatin e përcaktuar kohor ka proceduar në CAS (Court of Arbitration of Sport) ankesën ndaj vendimit të UEFA-s në lidhje me ndeshjen Rumani - Kosovë, të datës 15.11.2024”.

“FFK-ja, përveç angazhimit të ekipit të vet ligjor, është në konsultim edhe me disa studio ligjore me përvojë të madhe me lëndët në CAS, kryesisht nga Zvicra dhe Gjermania, për t’ u përfaqësuar në mënyrën e vet më të mirë në këtë betejë ligjore në kërkim të së drejtës për Federatën dhe ekipin tonë kombëtar”.

“Federata e Futbollit e Kosovës shpreh besimin e saj të plotë që CAS-i do të marrë vendim të drejtë e meritor”, thuhet në njoftimin e FFK-së.