Punëtorët e “Pastrimit” protestojnë sërish para Komunës, kërkojnë anulimin e tenderit që falimenton këtë kompani

Punëtorët e kompanisë regjionale të mbeturinave “Pastrimi” kanë protestuar sërish para Komunës së Prishtinës, duke kërkuar edhe një herë ndaljen e falimentimit të kësaj kompanie.

Ata kanë deklaruar se edhe pas një sërë reagimesh me shkrim, si dhe protestave, nga Komuna e Prishtinës nuk kanë marrë ende përgjigje.

“Të gjithë janë të informuar me gjendjen në të cilën janë punëtorët. Kërkesat tona i kemi dorëzuar të gjitha dhe me shkrim. Na premtuan një javë ditë, që i bie të premten e kaluar të na japin një përgjigje, përgjigje nuk kemi marrë, isha para dy ditësh prapë këtu nuk e takova askënd, nuk del të na tregojnë çka do të ndërmarrin për KRU ‘Pastrimin’. Për ta ndalur falimentimin. Kërkesat janë të njëjta - për heqjen e tenderit i cili falimenton KRU ‘Pastrimin’”, thanë përfaqësues të punëtorëve.

Protestat sipas tyre nuk do të ndalen.

“Ftojmë kryetarin Përparim Rama dhe Bekim Brestovcin le të dalin të shohin kamionin me të cilin punojnë punëtorët e KRU ‘Pastrimi’”. /EO