Avokati serb: Vuçiq tha se për hyrje në BE, s’do t’i vendos sanksione Rusisë as s’do ta ndryshojë politikën ndaj Kosovës

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pas takimit të sotëm me shefen e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, tha për gazetarët se biseda me shefen e diplomacisë evropiane “nuk ishte e lehtë”, por tha se biseda ishte e sinqertë dhe e hapur.

Vuçiq deklaroi se Kallas insistoi për një përputhshmëri më të madhe të politikës sonë të jashtme, veçanërisht për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, për vazhdimin e dialogut dhe një gatishmëri më të madhe për kompromise me Kosovën, si dhe për zgjidhjen e shpejtë të rastit në Banjskë.

Ndërkohë, deklaratën e Vuçiqit e ka komentuar avokati serb Çedomir Stojkoviq.

“Kemi zgjedhje, sanksione ndaj Rusisë me përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe hyrjen e shpejtë në Bashkimin Evropian. Unë kam vendosur të HEQIM DORË nga Bashkimi Evropian dhe nuk do ta ndryshoj atë politikë”, ky është përkthimi i këtyre fjalëve të Vuçiqit nga Brukseli sot, tha avokati serb.

“Nuk ka problem, ne do të ndryshojmë ty”, ka thënë Sojkoviq, transmeton Telegrafi.

Ndryshe, shefja e re e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka zhvilluar takime të ndara me krerët e Kosovës dhe Serbisë me të cilët ka biseduar për dialogun për normalizimin e raporteve mes dy vendeve, për sulmin në Banjskë dhe shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok.

Takimet e ndara në Bruksel mes Kallasit dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ishin në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.