Kuvendi i Shqipërisë miraton buxhetin për vitin 2025

Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot me 75 vota pro dhe 24 vota kundër projektbuxhetin për vitin 2025.

Buxheti i vitit 2025, konsiderohet 2 herë më i lartë se ai i vitit 2013, duke planifikuar 822,7 miliardë lekë shpenzime, ndërsa totali i të ardhurave arrin në 754,6 miliardë lekë.

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike paraqiti 34 amendamente në buxhet gjatë seancës së sotme, të cilat u rrëzuan nga mazhoranca.

“Shqiptarët nuk kërkojnë lëmoshë, por atë që meritojnë dhe atë që i është premtuar prej 12 vitesh. Refuzimi me votë i amendamenteve të grupit parlamentar i PD për rritjen e pensioneve dhe parashikimin në ligj të bonusit të fundvitit 2025, tregon edhe një herë që mazhoranca socialiste punon për mirëqenien e vet dhe jo për mirëqenien e qytetarëve”, u shpreh kreu i grupit parlamentar, të PD-së, Gazment Bardhi.

Për ministrin e Financave, Petrit Malaj, opozita nuk i ka të mbështetura financiarisht propozimet për amendamente në buxhet dhe nëse do të miratoheshin ato, borxhi publik do të shkonte në nivelin mbi 73,7 %, ndërsa deficiti buxhetor 20%.

“Janë shqyrtuar amendamentet e opozitës për projektbuxhetin 2025. Kemi bërë një përllogaritje të përafërt, duke përfshirë edhe minimumin prej 20 mijë lekësh dhe nevojiten 4-5 miliardë euro. Ajo që kërkoni ju është në fakt një buxhet i dytë“, tha Malaj.

Sipas tij, nga 5 miliardë euro amendamente opozita, vetëm 6% mbulon me propozimet e saj.

“Me pak fjalë ajo që propozoni ju, është një buxhet piramidal. Kjo qeveri nuk është qeveri piramidash, por qeveria që garanton rritje të qëndrueshme ekonomike, me shumë mbrojtje sociale, më shumë investime publike dhe një qeveri që garanton më pak borxh për brezat e ardhshëm”, tha ai.

Buxheti për vitin 2025 synon të përmbushë dy objektiva themelorë: Rritje ekonomike të qëndrueshme, duke krijuar punësim, zhvillim dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët shqiptarë; si dhe konsolidim fiskal, me qëllim final uljen e borxhit publik dhe ruajtjen e të gjitha parametrave makroekonomikë e fiskalë në nivele pozitive.

Përmes këtij buxheti do të marrin mbështetje sektorët prioritarë, si: arsimi, shëndetësia, infrastruktura, shërbimet digjitale, bujqësia, si dhe do të financohet me prioritet Plani i Rritjes së Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, si një instrument i rëndësishëm për përshpejtimin e konvergjencës ekonomike e sociale të vendit tonë.

Financimi i investimeve publike të programuara do të jetë në masën rreth 162 miliardë lekë, ose 6,2% e PBB-së, duke mbështetur e zhvilluar më tej turizmin, bujqësinë, infrastrukturën.

Po ashtu, materializohen objektivat kryesorë të politikës fiskale, siç është një balancë primare pozitive dhe reduktimi i borxhit publik në raport me Produktin e Brendshëm Bruto.

Për vitin e ardhshëm qeveria synon një nivel borxhi prej 55,8% të PBB-së, nga 56,3% që pritet të arrijë deri në fund të vitit 2024.

Gjithashtu sigurimi i një raporti produktiv midis huamarrjes totale neto të buxhetit dhe shpenzimeve kapitale të qeverisë qendrore, mbetet një prioritet i saj.

Buxheti parashikon fondet për indeksim dhe bonusin e pensionistëve, ndërsa nuk parashikon rritje pagash. /atsh