Banorët e Fushë-Kosovës po përballen me reduktime të ujit

Pas gjendjes së krijuar së fundmi në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok dhe prurjes së paktë të ujit nga ky kanal, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” u detyrua që të aplikojë reduktime të ujit në komunat Drenas, Fushë-Kosovë, Obiliq dhe në një pjesë të Prishtinës.

Gjendja në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok la pa ujë mijëra banorë të Fushë Kosovës, kryesisht gjatë kohës së reduktimeve.

E situatë me e rëndë po vazhdon të paraqitet sidomos për ata që jetojnë në kate të larta.

“Pa ujë, reduktimet kanë filluar si ka eksploduar atje. Na jetojmë në katin 8-të, shtypja e ulët, më shumë pa ujë se me të. Po gjindemi si po mundemi”, tha Zana Jetullahu, banore.

“Jemi shumë pa ujë, tash ka po është shumë pak. Nuk guxojmë me i lëshua as makina as send", tha Hajrie Kongjeli, banore.

Megjithatë, qytetarët po e mirëkuptojnë situatën e krijuar pas asaj që ndodhi në veri.

"Ujë ka pasur por pas kësaj situate që ka ndodh atje duhet me e kuptua. Ujin po duhet gjithqysh me sigurua, për me pi po blejmë", tha për Rtk-në, Faik Zogu, banor.

Në zonat e prekura KRU “Prishtina” ka vendosur edhe autobote për furnizim me ujë të pijshëm.

Nga kjo ndërmarrje thonë se uji është i pijshëm, gjendja është më stabile dhe se po bëjnë të pamundurën që qytetarët të kenë furnizim të rregullt me ujë, sidomos edhe për ata që jetojnë në kate të larta.