Inxhinieri Lahi tregon pse s’u realizua diga në Mihaliq, e cila do të “shpëtonte” termocentralet e KEK-ut
Inxhinieri Naser Lahi thotë se në 2018-tën ishte nënshkruar një kontratë që të ndërtohej një digë në fshatin Mihaliq të Obiliqit, në të cilën do të deponoheshin 3.5 milionë metër kub ujë, në rast të ndonjë fatkeqësie apo ndërprerje të ujit nga Liqeni i Ujmanit.
“Ne kemi fituar projektin e rehabilitimit të kanalit të Ibër-Lepencit, i cili ka qenë i paraparë në dy llote. I pari: rehabilitimi i kanalit, ndërsa i dyti: ndërtimi i digës në Mihaliq, ku do të deponoheshin 3.5 milionë metër kub ujë, në rast të ndonjë fatkeqësie apo ndërprerje të ujit nga Ujmani”, deklaroi ai.
Lahi tutje theksoi se kjo nënkupton se nëse projekti do të kryhej, do të kishte 40 ditë ujë për furnizim të qytetit të Prishtinës, dhe për ftohjen e termocentraleve në Obiliq.
Sipas tij, plani s’u realizua për shkak të zgjedhjeve.
“Ne kemi nënshkruar kontratën më 21 dhjetor 2018, kemi bërë projektin dhe dizajnin, dhe jemi paguar. Çuditërisht kanali, faza e parë, rehabilitimi i kanalit ka shkuar me ngecje ka pasur problematikë, për shkak se teknikisht ka qenë jo mirë i realizuar nga kompania e cila fituar tenderin”, tha ai në Klan Kosova.
“Kurse llotin e dytë, edhe pse është shpallur tenderi, dhe është zgjedhur fituesi i tenderit, ndërkohë zgjedhjet në Kosovë e ndërruan politikën total edhe në Ibër-Lepenc”, deklaroi mes tjerash Lahi.