Presidenti korean tërhiqet nga vendimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, tha të mërkurën se së shpejti do të tërhiqte vendimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, vendim të cilin ai e mori një natë më parë, pasi parlamenti votoi kundër tij.

Yoon tha se qeveria e tij tërhoqi personelin ushtarak që e kishte vendosur nëpër disa ndërtesa qeveritare pas një votimi parlamentar dypartiak që hodhi poshtë ligjin ushtarak dhe masa u hoq zyrtarisht rreth orës 4:30 të mëngjesit (sipas kohës lokale) gjatë një takimi të kabinetit, raporton AP, transmeton Klankosova.tv.

Presidenti korean shpalli ligjin ushtarak të martën vonë, duke u zotuar të eliminojë forcat “anti-shtetërore” ndërsa po ballafaqohet me një opozitë që kontrollon parlamentin e vendit dhe që ai e akuzon për simpati ndaj Koresë së Veriut komuniste.

Më pak se tre orë më vonë, parlamenti votoi për hedhjen poshtë të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, me kryetarin e Asamblesë Kombëtare Woo Won Shik që deklaroi se ligji ushtarak ishte “i pavlefshëm” dhe se ligjvënësit “do të mbrojnë demokracinë me njerëzit”.

Veprimi befasues i presidentit riktheu në kujdese një epokë udhëheqësish autoritarë që vendi nuk e ka parë që nga vitet 1980, dhe u refuzua menjëherë nga opozita dhe lideri i partisë së Yoon.

Policia dhe personeli ushtarak u panë duke u larguar nga ambientet e Kuvendit pasi Woo bëri thirrje për tërheqjen e tyre.

Lee Jae-myung, kreu i Partisë Demokratike Liberale, e cila mban shumicën në parlamentin prej 300 vendesh, tha se ligjvënësit e partisë do të qëndrojnë në sallën kryesore të Kuvendit derisa Yoon të heqë zyrtarisht urdhrin e tij.