Kajtazi: Sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit ishte një mesazh i mirëorganizuar për Kosovën

Eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, ka deklaruar se sulmi në kanalin Ibër-Lepenc ishte një veprim i mirëplanifikuar, i cili kishte për qëllim t’i japë një mesazh të qartë Kosovës.

Ai vlerësoi se akti nuk ishte i rastësishëm dhe u kufizua qëllimisht, duke mos arritur në kapacitetin maksimal të dëmit.

“Është veprim shumë inteligjent dhe përzgjedhje e studiuar mirë. Nuk është bërë nga njerëz të thjeshtë,” theksoi Kajtazi në Rtv Dukagjini.

Sipas tij, ky akt synonte të paralajmëronte Kosovën për aftësitë e atyre që qëndrojnë prapa këtij sulmi.

“Është një leksion që ata kanë menduar ta japin. Nuk e kanë shkuar deri në fund, por qëllimi ishte të dërgohet mesazhi: ‘Ne mund ta paralizojmë Kosovën’,” tha ai.

Kajtazi theksoi se përzgjedhja e objektivit dhe mënyra e sulmit dëshmojnë për një nivel të lartë organizimi dhe planifikimi strategjik, duke lënë të kuptohet se sulmuesit donin të tregojnë fuqinë dhe aftësinë e tyre për të ndikuar në infrastrukturën e vendit.