Abdixhiku thotë se ndryshimi po vjen edhe në kulturë, sport e turizëm

Lidhja Demokratike e Kosovës sonte në Prishtinë ka shpalosur programin e saj politik “Rruga e Re” për kulturën, sportin dhe turizmin.

Sipas të parit të kësaj partie, Lumir Abdixhikut, ky program synon t’i transformojë këto fusha “ashtu siç dhe e meritojnë qytetarët tanë”.

Kryetari i LDK-së theksoi se investimet në infrastrukturë, si stadiumet dhe Qendra Kombëtare e Sportit, janë të rëndësishme për zhvillimin e sporteve dhe përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës.

Po ashtu, ai theksoi se investimet në kulturë, si ndërtimi i teatrit, muzeut të artit bashkëkohor dhe operës janë prioritete të LDK-së për zhvillimin e Kosovës.

“Vazhdimisht pjesë thelbësore ka qenë investimi në infrastrukturë sepse është bërë bukur e evituar duke përfshirë edhe stadiumet e Kosovës. Ka pasur dëshira të mirëmbajtjes dhe na shfaqet një investim, pjesë thelbësore është Qendra Kombëtare e Sportit t’i kthehet kryeqytetit sepse i takon Prishtinës. Për Stadiumin Kombëtar me 25-30 mijë ulëse të nivelit të lartë. Dua ta ndërtojmë afër stadiumit kombëtar, paralelisht do të jenë dy pishina olimpike, paralelisht do të jetë qendra për trajnimet të fakultetit fizik. Brenda 100 milionë euro investime po flasim për këto investime. Ndërtimi i pesë stadiumeve rajonale, kostoja është 12 milionë euro dhe është kosto e mjaftueshme që do të thotë pesë të tilla janë rreth 60 milionë euro. Sporti është mënyra më e mirë e përfaqësimit ndërkombëtar të vendit. Do të habiteshe që fëmijët tanë kanë vetëm dy herë në javë edukatë fizike, në Shqipëri janë katër”, ka potencuar kryetari i LDK-së.

Sipas kreut të LDK-së, “ndryshimi po vjen edhe në kulturë, sport dhe turizëm”.

“Investimi në Brezovicë ishte 80 milionë euro kostoja. Shteti nuk ndërton hotele por turizëm, sot është në gjendje të mjerueshme kur mund shndërrohet në aset kombëtar tërheqës për turistët nëpër botë. Njëjtë do të jetë edhe me gjendjen në Pejë, aty kostoja është 50 milionë euro. Kemi pasur ekip të shquar në programin e kulturës, duhet t’i japim një vëmendje të fundit institucionale kam qenë i kyçur vazhdimisht dhe kam parë çështjet problematike”, tha ai, raporton EO.

“Fakti që Kosova nuk ka teatër të baletit dhe të operës kjo është mjaftueshëm për të treguar se ku jemi. Lokacionin e kemi menduar në vend të mirë, ne do ta bëjmë një spital të ri 500 milionë euro, lirimin e QKUK-së dhe ndërtimin e teatrit. Me lirimin e QKUK-së na krijohet në një kompleks gjigand ekskluziv. Mund të jetë aty ka plane për koston 25 milionë euro. Teatri Kombëtar i Kosovës, të ndërrohet lokacioni i cili do të jetë i mirë për artistët dhe të jetë peizazh i mirë për vendin tonë kemi vendosur 12 milionë euro. Kemi ndërtimin e muzeut të artit bashkëkohor dhe ky muze është projektuar me kosto 11 milionë euro. Nuk ka qytet nëpër botë dhe nuk e ke historinë e atij shteti në një muze të përjetshëm”, ka thënë Abdixhiku.

Kandidatja për deputete të LDK-së, Sibel Halimi ka theksuar se kultura e arti i LDK-së nuk është e krijuar vetëm për artistët, por edhe për përfshirjen e fëmijëve si lëndë në sistemin arsimor.

“Si drejtoreshë e kulturës kam parë për afër gjendjen e artistëve tanë. Gjendja është e mjerueshme nuk kanë kushte dhe hapësirë për të promovuar artin dhe kulturën. E ndërtuam investimet kapitale të cilat nuk janë të fokusuara vetëm në Prishtinë por në të gjithë territorin. Objektet janë të ftohta dhe asnjëherë nuk bëhet përpjeke që këto objekte të trashëgojmë siç duhet. Në këtë departament janë të përfshirë të gjithë personalitetet që kanë dhënë kontribut në art dhe kulturë. Ne shpeshherë kur flasim për kulturën dhe artin është jeta jonë është pritshmëria jonë. Është e rëndësishme kultura dhe arti i LDK-së nuk është e krijuar vetëm për artistët, por duhet të përfshihet si lëndë në sistemin tonë parauniversitar, arti është njohje mbi vetën, ndikon në zhvillimin e imagjinatës së fëmijëve”, ka thënë Halimi.

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, ka theksuar rëndësinë e investimeve në turizëm, duke përmendur projekte si ndërtimi i një qendre turistike në Brezovicë, me kosto prej 80 milionë euro.

Po ashtu, ai përmendi një qendër tjetër turistike në Pejë, që ka një kosto prej 50 milionë euro, e cila synon të nxisë turizmin dhe të ruajë trashëgiminë natyrore të rajonit.

“Sa i përket Brezovicës një qendër turistikë për katër stinët me përshtatje në dimër parashikohet të jetë kostoja 80 milionë euro, ndërtimi i teleferikëve i gjithë projekti financohet sipas modelit publiko-privat. Qendra turistike në Pejë është 50 milionë kostoja, kjo ka për qëllim nxitjen e turizmit në këto rajone, ruajtja dhe promovimi i trashëgimisë natyrore për të tërhequr turistë vendor, rajonal dhe nga e gjithë bota. Zhvillimi i infrastrukturës turistike do të ketë zhvillime në kapacitet për të krijuar qasje në këto zona turistike. Promovimi i Kosovës si destinacion turistik”, ka thënë ai.