Nga një muaj arrest shtëpiak për avokaten Sheholli dhe përmbaruesin privat Islami

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh për avokaten Shemsije Sheholli dhe përmbaruesin privat, Isak Islami (secilit veç e veç).

Sheholli dyshohet për “Ushtrim ndikimi”, kurse Islami për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

Në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka marr vendim dhe ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit si të pa bazuar.

“Konform nenit 182 paragrafi 5 të KPPRK, gjykata mund të caktoj masën më të rëndë – Paraburgimin, nëse të pandehurit nuk e respektojnë masën e arrestit shtëpiak. Detyrohet Policia e Kosovës që të verifikojnë zbatimin e kësaj mase dhe në rast të mosrespektimit të saj, të informojnë Prokurorinë dhe Gjyqtarin e Procedurës Paraprake të kësaj gjykate”, thuhet në njoftim.

Gjykata vlerëson se e caktimi i masës së arrestit shtëpiak për të pandehurit e lartcekur është masë e mjaftueshme për të siguruar mbarëvajtjen e procedurës penale në këtë çështje penale, për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë, në parandalimin e ndikimit tek i dëmtuari apo dëshmitarët, e gjithashtu edhe në përsëritjen e veprës penale, andaj gjykata vlerësoj se edhe me shqiptimin e masës së arrestit shtëpiak, do të arrihet i njëjti qëllim që do të arrihej edhe me masën e paraburgimit.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte kërkuar caktimin e paraburgimit, por kjo masë është refuzuar nga Gjykata.

Avokatja dhe përmbaruesi u arrestuan të hënën (2 dhjetor) pas hulumtimit të “Betimi për Drejtësi”- “Dyshimet për pazarllëqe me lëndë në emër të gjykatësve”, të publikuar më 22 qershor 2024.

Në kërkesën e Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se e pandehura Shemsije Sheholli, në cilësinë e avokates dhe përfaqësueses së palës së dëmtuar Besim Sopi, i cili ishte në cilësinë e paditësit në kontest civil, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për veten, më 15 gusht 2023, kërkon drejtpërdrejt shumin prej 25 mijë nga i dëmtuari Sopi.

Para disa ditëve, Komisioni Disiplinor për përmbaruesit privatë në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë kishte marrë vendim, me të cilin ia ndalon për 7 muaj ushtrimin e profesionit përmbaruesit privat, Isak Islami, pasi ka gjetur shkelje në procesin e përmbarimit për këtë rast.

Në hulumtimin e “Betimi për Drejtësi” tregohet se si avokatja Shemsije Sheholli, dyshohet se i kishte kërkuar klientit të saj 25 mijë euro ryshfet në emër të tre anëtarëve të Kolegjit gjykues të Apelit.

Në hulumtim, është publikuar një audio-incizim i një takimi mes palës Besim Sopi dhe avokates Shemsije Sheholli, i cili pretendohet të jetë bërë më 15 gusht 2023, pra, afër një muaj pasi Gjykata e Apelit kishte vendosur për lëndën e Besim Sopit më 25 korrik 2024.

Sipas këtij audio-incizimi dhe hulumtimit, avokatja Sheholli shprehet se ndonëse palët tjera të përfshira në rast e kanë pranuar vendimin, ai (pala Sopi) nuk mund ta pranojë vendimin pa e kryer “obligimin”. “Atyne ju ka shku, po neve s’na qojnë pa e kry obligimin”, thuhet në audio-incizim.

Ndërsa më tej, kur flitet për shumën ajo ndër të tjera shprehet kështu “Jo vallah nuk janë shumë Besim, gjithmonë shkon 10 %. 10 % të kishin taku 50 mijë euro, se janë 5 banesa, ka 100 mijë euro, 500 mijë, përgjysmë. “Këta nuk është një gjykatës, këta janë tre”.

Qytetari Sopi në këtë rast thotë se këto para nuk i ka dhënë, mirëpo, avokatja Sheholli më pas me një procedurë të dyshimtë përmbarimi atij i ka marrë 25 mijë euro. Kjo në emër të një kontratë shpërblimi, ku thuhej se Sopi pajtohej që në rast se avokatja ia fitonte kontestin gjyqësor asaj i takonin 10% e vlerës së kontestit.

Në këtë rast, sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, vlera e kontestit ishte 200 mijë euro e që 10% i saj i binte 20 mijë euro dhe jo 25 mijë euro. Ndonëse, qytetari thotë se një marrëveshje e tillë nuk kishte ndodhur asnjëherë.

Urdhrin përmbarimor në këtë rast e kishte lëshuar përmbaruesi privat Isak Islami. Hulumtimi tregon për një procedurë të dyshimtë përmbarimi pasi ky urdhër ishte lëshuar mbi një faturë të pa nënshkruar nga Sopi si dhe Sopi nuk kishte njoftuar asnjëherë për këtë urdhër përmbarimi.

Sopi, për këtë përmbarim thotë se ishte njoftuar vetëm atëherë kur e kishe vërejtur se i janë tërhequr paratë nga llogaria bankare.

Përmbaruesi privat në shkresa të lëndës ka një fletë kthesë ku tregohej se nuk ishte gjetur adresa e debitorit, dhe me pas kishte vazhduar me afishim/njoftim, gjë që sipas Ligjit nuk aplikohen tek personat fizik por vetëm për persona juridik, duke mos ndjekur kështu asnjërin prej hapave siç parashihen me Ligjin për Procedurën Kontestimore.