Sërish armë e municion në veri, Sveçla: U gjetën edhe uniforma ushtarake të SHBA-së e Britanisë
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka publikuar një video ku shfaqen municione, armë dhe uniforma të gjetura gjatë një bastisjeje në veri të Kosovës.
Sipas ministrit, këto materiale ishin fshehur nën një ahur dhe përfshinin uniforma të ushtrive të ndryshme.
“Ky është municioni, armët dhe uniformat që janë gjetur sot në veri të vendit”.
Përveç uniformave të ushtrive të Serbisë dhe Rusisë, janë gjetur edhe uniforma të ushtrive të SHBA-së dhe asaj Britanike.
“Ky fakt tregon për planet dhe skenarët ogurzi për të kryer krime dhe sulme, duke synuar të fajësojnë shtete të tjera”, deklaroi Sveçla.
Ai theksoi se askush që tenton të cenojë rendin kushtetues dhe sigurinë e vendit nuk do t’i shpëtojë drejtësisë.
“Republika e Kosovës dhe forca e ligjit do të triumfojnë në mbrojtje të rendit dhe demokracisë”, përfundoi ministri.
Municion dhe gjësende të ngjashëm ushtarake policia gjeti edhe të hënën në veri të vendit.
Gjatë aksionit, janë sekuestruar dëshmi dhe prova materiale: katër granata dore, një pushkë gjuetie, mbi 500 copë municion të kalibrave të ndryshëm, dy karikatorë të armës automatike AK-47, një karikatorë i pushkës së gjatë, një radiolidhje, një palë dylbi, një kamerë kamufluese, uniforma ushtarake dhe dokumente të ndryshme.