Rumania ankohet në CAS kundër vendimit të UEFA-s për ndeshjen me Kosovën

Federata e Futbollit e Rumanisë ka njoftuar se do të apelojë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) kundër vendimit të UEFA-s për ndeshjen ndaj Kosovës që u ndërpre në minutat e kohës shtesë.

Ndeshja e Ligës së Kombeve, e ndërprerë në fund për shkak të thirrjeve të tifozëve rumunë u vendos në tavolinë, ku Rumania mori tri pikë me një fitore me rezultat zyrtare 3-0.

Rumania u gjobit nga UEFA për disa pika, duke marr në total një dënim prej 128 mijë eurove. Në anën tjetër, Federata e Futbollit e Kosovës u dënua me 6 mijë euro.

Rumania po ashtu u dënua edhe me një ndeshje pa shikues, të cilën do ta zhvillojë në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

“Kosova ka shkelur principin më të rëndësishëm të futbollit – që ndeshja duhet të vendoset në fushë. Dhe ata nuk u sanksionuan. Ndërsa ne morëm gjoba dhe sanksione që i konsiderojmë joproporcionale”, deklaroi presidenti i FRF-së, Razvan Burleanu.

Federata e Futbollit e Kosovës veçse ka lajmëruar se do t’i drejtohet Arbitrazhit Sportiv në Lozanë për vendimin që ndeshja të regjistrohet me rezultat zyrtar në të mirë të Rumanisë.

FFK-ja ka konsideruar se rasti është betejë kundër racizmit dhe diskiminimit në të gjitha format. /telegrafi/