Abdixhiku te familja e ish-presidentit Rugova: Festuam ditëlindjen e Atit Themeltar të Republikës së Kosovës
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Andixhiku, ka vizituar sot familjen e ish-presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Vizitën ai e bëri për nder të ditëlindjes së 80-të të tij.
Abdixhikun në vizitë te familja Rugova e shoqëruan udhëtarët e bashkëpunëtorët e ngushtë të presidentit, Alush Gashi dhe Muhamet Hamiti.
“Në 80-vjetorin e lindjes së Atit Themeltar të Republikës së Kosovës, presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, vizitova zonjën Fana dhe familjen Rugova. Vizitën e bëra i shoqëruar me udhëtarët e bashkëpunëtorët e ngushtë të presidentit; udhëtarë e bashkëpunëtorë të mi edhe sot profesor Alush Gashin dhe profesor Muhamet Hamitin”, shkroi ai.
Abdixhiku tha se sikurse çdo vit, gruaja e ish-presidentit Rugova kishte përgatitur ëmbëlsirën e preferuar të bashkëshortit të saj të ndjerë.
“Në traditën tashmë të përvjetme të shënimit të kësaj ditëlindjeje, zonja Fana kishte përgatitur ëmbëlsirën Tiramisu, të preferuarën e Presidentit; të shijuar për herë të parë në Romë. Presidenti ka vetëm ditëlindje! 80 vjet më parë u lind shqiptari më i madh i kohërave. Pjesa tjetër është një histori e paarritshme, e papërsëritshme. Ajo na qëndron sot si dritë udhërrëfyese për të bërë të ardhmen!”, shkruan kreu i LDK-së.