Kurti ambasadorëve të QUINT-it: Sulmi në Ibër-Lepenc, i ngjashëm me sulmet e Rusisë në Ukrainë

Kryeministri Albin Kurti u ka thënë ambasadorëve të vendeve të QUINT-it se sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut është i ngjashëm me sulmet e Rusisë ndaj infrastrukturës kritike të Ukrainës.

“Kryeministri Kurti theksoi se qëllimi i këtij sulmi ka qenë dëmtimi i prodhimit të energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë në pjesën më të madhe të vendit, duke qenë sulmi i tretë në 72 orë kundër Republikës sonë, pas atyre të 26 dhe 28 nëntorit në stacionin policor në Zveçan dhe në afërsi të objektit të kësaj Komune. Kryeministri Kurti tha se një sulm të tillë të ngjashëm ndaj infrastrukturës kritike e kemi parë pak ditë më parë edhe kundër infrastrukturës kritike të Ukrainës, e cila u sulmua nga raketat ruse. Shtoi se indikacionet tregojnë se sulmi është kryer nga grupe e persona profesionistë e të mbështetur e dirigjuar nga Serbia”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë për takimin e Kurtit me ambasadorët që u mbajt të hënën.

Në njoftim thuhet se Kurti i ka informuar dhe ka diskutuar mbi sulmin kinetik të mbrëmjes së 29 nëntorit në Varagë të Zubin-Potokut, në infrastrukturë kritike, në kanalin kryesor të Ibër-Lepencit.

Kurti thuhet se i ka informuar diplomatët se Policia po i zhvillon hetimet, “gjersa tashmë ka të arrestuar të dyshuar të ndërlidhur me sulmin e përgjegjës për ekzekutimin e tij, si dhe dëshmi e prova materiale, ndër to edhe armë, eksplozivë e uniforma dhe emblema të njësive ushtarake ruse”.

“Kryeministri nënvizoi se kriminelët e terroristët do të përballen me drejtësinë, me fuqinë e ligjit të drejtë të Republikës demokratike e të pavarur të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Kurti thuhet se ka folur edhe për rëndësinë e ekstradimit të Milan Radoiçiqit.

“Më tej, foli edhe për rëndësinë e ekstradimit dhe arrestimit të kryekriminelit dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq, i cili vazhdon të jetë i lirë në Serbi, duke organizuar e planifikuar me mbështetjen edhe të Beogradit zyrtar dhe Presidentit Aleksandar Vuçiq, sulme në vazhdimësi ndaj Republikës së Kosovës. Serbia vazhdon të mbështesë grupet terroriste me armë, financa dhe logjistikë, që solli që pas sulmit në Banjskë të pasojnë edhe sulme të tjera, përfshirë edhe aktin e fundit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit”, thuhet njoftim.

Pas takimit me ambasadorët Kurti nuk u deklarua për media, ndërsa ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, deklaroi se në këtë pikë SHBA-ja nuk është në gjendje të thotë se kush qëndron prapa sulmit të së premtes në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut. /Zëri