Skulptori Gëzim Muriqi ia dhuron Presidencës skulpturën e presidentit historik Ibrahim Rugova
Në shënimin e 80-vjetorit të lindjes së presidentit historik Ibrahim Rugova, skulptori Gëzim Muriqi i ka dhuruar Presidencës një skulpturë të Rugovës, shkruan Zeri.info.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se “Rugova na bashkoi në momentet tona më të vështira, duke frymëzuar brezat për të ecur në rrugën e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë. Rrugë nga e cila asnjëherë nuk do të heqim dorë!”.
Postimi i plotë i presidentes Osmani, pa ndërhyrje:
Në historinë e shtetit tonë shkëlqen një emër që mishëron guximin, urtësinë dhe ëndrrën tonë për shtet të pavarur – Dr. Ibrahim Rugova, ati ynë themeltar dhe presidenti historik, i cili sot shënon 80-vjetorin e lindjes.
Me besim të pafund në paqen, dinjitetin, lirinë dhe pavarësinë e popullit tonë, presidenti Rugova hodhi themelet e një Kosove të pavarur, duke formësuar një trashëgimi të rrënjosur në mençurinë, durimin, qëndrueshnërinë dhe vullnetin e pathyeshëm të një kombi. Me urtësinë, me vizionin e një burrshtetasi dhe me shpirtin e një patrioti, presidenti Rugova na bashkoi në momentet tona më të vështira, duke frymëzuar brezat për të ecur në rrugën e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë. Rrugë nga e cila asnjëherë nuk do të heqim dorë!
Falënderoj skulptorin Gëzim Muriqi që sot dhuroi skulpturën e presidentit historik për Presidencën e Republikës së Kosovës. /Zëri