Kosova dhe Danimarka në rrugën e forcimit të marrëdhënieve bilaterale

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, realizoi një vizitë pune në Mbretërinë e Danimarkës, gjatë së cilës e shoqëruar nga konsulli i Kosovës, Valdrin Grainca, zhvilloi takime të rëndësishme me zyrtarë të lartë të institucioneve daneze.

MPJD, përmes një komunikate për medie, njofton se bë kuadër të vizitës, zëvendësministrja Gashi zhvilloi takime të veçanta me Sekretarin e Shtetit për Punë Evropiane dhe të Arktikut, Jonas Bering Liisberg, kryesuesin e Komisionit për Politika të Jashtme, z.Michael Aastrup Jensen, dhe me kryesuesen e Komisionit për Punë të Jashtme, Lise Bech.

“Diskutimet u përqendruan në zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh, me fokus të veçantë në tregti dhe ekonomi, sfidat e sigurisë rajonale, si dhe përkrahja e vazhdueshme e Danimarkës për avancimin e agjendës euroatlantike dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar”, thuhet në këtë njoftim.

Gjithashtu bëhet e ditur se në takimet e zhvilluara u shpreh gatishmëria për intensifikimin e bashkëpunimit në fusha të reja, derisa u rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës, të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta dhe përkushtim të ndërsjellë ndaj zhvillimit, demokracisë, paqes dhe sigurisë.

Në kuadër të kësaj vizite Gashi,ka zhvilluar edhe disa takime edhe me liderë të biznesit, sipërmarrës dhe me profesionistë shqiptarë, të cilët luajnë një rol të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës.