Çitaku-Kurtit: Nëse nuk mund ta mbështesni Thaçin lëreni rehat

Për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, kryeministri Albin Kurti, tha sonte në një konferencë për media se në veri jemi të hendikepuar për shkak se “ushtria jonë nuk mund të shkojë atje nga zotimi i ish-kryeministrit Thaçi”. Ndaj deklaratës së tij ka reaguar Vlora Çitaku, nënkryetare në PDK, duke i kërkuar Kurtit që ta lë Thaçin rehat sepse ndodhet “në betejë për historinë dhe të ardhmen tonë”.

Çitaku poashtu i thotë Kurtit se “armiqtë e Kosovës, ata të vërtetit janë jashtë Kosovës, e ata imagjinarët janë vetëm në mendjen tuaj”.

Postimi i plotë:

I nderuari Kryeministër,

Armiqtë e Kosovës, ata të vërtetit janë jashtë Kosovës, e ata imagjinarët janë vetëm në mendjen tuaj.

Hashim Thaçi, opozita, mediat, nuk qeverisin me Kosovën. E keni shumicën absolute, vendimet i merrni ju, si për polici, si për AKI, si për FSK-në.

Ato vendime që janë në funksion të fuqizimit të Republikës i mbështesim edhe ne.

E Hashim Thaçin, nëse nuk mund ta mbështesni, lejeni rehat. Sot ai është në betejë për historinë dhe të ardhmen tonë.