Qehaja, Sulmi terrorist në Zubin Potok, alarm për institucionet e sigurisë

Eksperti i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qehaja, tha se përtej dënimit të aktit terrorist e sabotazhës ndaj infrastrukturës kritike në fshatin Varagë të Zubin Potokut, duhet theksuar shpejtësinë e ndërmarrjes së masave për sanimin e gjendjes në pjesën e kryerjes së këtij akti makabër.

“E tërë kjo si rezultat i sendërtimit të shtetësisë sonë në pjesën veriore. Mirëpo në këtë kontekst duhet shtruar pyetjen se sa janë ndërmarrë masat paraprake në funksion të parandalimit të një sulmi të tillë marrë për bazë synimet e qarta të grupeve terroriste në atë pjesë të vendit tonë”, ka shkruar Qehaja në Facebook.

Ai tutje thotë se është i vetëdijshëm se gjatë kthimit dhe sendërtimit të shtetësisë tone, rreziku është identifikuar nga organet tona dhe si i tillë është reflektuar në dokumentet strategjike relevante të sigurisë.

“Por sikur nuk kemi arritur të rrisim gatishmërinë parandaluese e vepruese pikërisht rreth infrastrukturës kritike, sigurisht se sigurimi i saj me prezencë statike nuk është lehtë i realizueshëm marrë për bazë rrethanat, por sulmi në fjalë është alarm për ne se duhet të rrisim prezencën me burime njerëzore (me polici dhe forca tjera)përtej zonave urbane dhe përtej pikave ekzistuese duke bërë në vazhdimësi plotësimin e vlerësimit të vazhdueshëm të rreziqeve të mundshme të sulmeve eventuale te forcave dhe mjeteve terroriste serbe”, shkruan tutje Qehaja.

Ai thotë se në këtë drejtim, duhet të nisen konsultimet me NATO për përforcim të sigurisë me njësitë të FSK në funksion të asistencës autoriteteve civile dhe policisë.

“Mbulimi i infrastrukturës kritike me njësi shtesë nga FSK duhet të i paraprijë një angazhim politik e diplomatik me qëllim të senzibilizimit të aleatëve tanë”, ka shkruar Qehaja në Facebook.