Për arsye sigurie, shtyhen ndeshjet e kësaj jave në elitën e futbollit maqedonas

Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM), ka marrë vendim që java e 17-të e Ligës së Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut, e cila është caktuar për nesër (e diel), të shtyhet dhe gjashtë duelet të luhen ditën e martë më 3 dhjetor, pa praninë e publikut.

Arsyeja e këtij vendimi që solli Federata e Futbollit të Maqedonisë, vjen me rekomandim të Ministrisë për Punë të Brendshme (MPB) dhe e gjithë kjo ndodhë për arsye sigurie në vend.

FFM ka dalë me njoftim në faqen e tyre zyrtare ku kanë dhënë sqarimin se pse u anulua java e 17-të. 

“Komisioni për ndeshje në kuadër të Federatës së Futbollit të Maqedonisë mori vendim për shtyrjen e ndeshjeve të javës së 17-të në LPMV, të cilat sipas programit duhej të luheshin më 1 dhjetor (e diel) me fillim nga ora 13:00.  Vendimi është marrë në përputhje me rekomandimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme për zhvillimet dhe ngjarjet e fundit dhe parandalimin e çdo lloj dhune dhe sjellje të keqe në garat sportive. Komisioni i Garave ka ricaktuar ndeshjet e shtyra të xhiros së 17-të në Ligës së Parë për datën 3 dhjetor (e martë) me fillim nga ora 13:00”, thuhet në njoftimin nga FFM.

Sipas vendimit të MPB-së, ndeshjet e kësaj xhiroje do të zhvillohen pa praninë e publikut.