Osmani: Bandat kriminale serbe kanë humbur në çdo betejë me institucionet e Kosovës, do të humbin sërish

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka reaguar pas shpërthimit në kanalin Ibër-Lepenci.

Osmani ka thënë se kjo vepër e bandave kriminale serbe është një përpjekje qyqyare për të sulmuar infrastrukturën jetike të Republikës nëpërmjet akteve terroriste, transmeton Zeri.info.

“Bandat kriminale serbe kanë humbur në çdo betejë me institucionet e Kosovës.

Do të humbin sërish, në përpjekjet e tyre qyqare për të sulmuar infrastrukturën jetike të Republikës sonë nëpërmjet akteve terroriste. Mbrojtja e kushtetutshmërisë e ligjshmërisë në çdo cep të vendit dhe lufta e pa kompromis ndaj këtyre elementeve kriminale janë jetike”.

“I ftoj qytetarët të vazhdojnë të tregojnë qetësi e maturi derisa institucionet tona po merren me hetimin e rastit dhe sanimin e dëmit me profesionalizmin më të lartë. Përveç institucioneve tona, partnerët tanë ndërkombëtar të sigurisë menjëherë kanë ofruar ndihmën e tyre edhe për sanimin e dëmit të shkaktuar dhe për furnizim me ujë e po ashtu për hetim të ketij akti kundër shtetit e qytetarëve tanë”, ka shkruar Osmani. /Zëri