Irani dhe fuqitë evropiane pajtohen që të vazhdojnë dialogun

Irani dhe tri fuqi evropiane janë pajtuar që të vazhdojnë dialogun “në një të ardhme të afërt” pas takimit në Gjenevë, teksa zyrtarët e inteligjencës kanë paralajmëruar se përhapja bërthamore e Teheranit paraqet “kërcënim kritik”.

Negociatorët nga Irani dhe i ashtuquajturi grupi i E3 (Britania, Franca dhe Gjermania) u takuan në Zvicër për të diskutuar për një sërë çështjesh, përfshirë zgjerimin e programit bërthamor të Iranit, mbështetjen e tij ushtarake për Rusinë dhe konfliktet në Lindjen e Mesme.

Zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi, shkroi në X më 29 nëntor se bisedimet në Zvicër u përqendruan në zhvillimet e fundit dypalëshe, rajonale dhe ndërkombëtare, “veçmas në çështjet bërthamore dhe heqjen e sanksioneve”.

“Ne jemi të përkushtuar që të ndjekim interesat e popullit tonë dhe preferenca jonë është rruga e dialogut dhe angazhimit”, tha ai.

Ndaras, shefat e spiunazhit të Britanisë dhe Francës kanë ngritur alarmin lidhur me lidhjet mes Iranit dhe Rusisë dhe zhvillimi të programit bërthamor të Iranit.

Takimi në Gjenevë u mbajt një javë pasi Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore miratoi një rezolutë kundër Iranit.

Sipas rezolutës, kjo agjenci obligohet të përgatis një vlerësim “të përditësuar dhe gjithëpërfshirës” sa i përket zgjerimit të programit bërthamor të Iranit, përfshirë përpjekjeve paraprake dhe aktuale për zhvillimin e një bombe bërthamore.

Në përgjigje të miratimit të rezolutës, Irani njoftoi se ka nisur pasurimin e uraniumit përmes mijëra centrifugave të avancuara që i ka në uzinat bërthamore në Fordo dhe Natanz.

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore tha se Irani do ta pasurojë uraniumin në 5 për qind pastërti, edhe pse shteti ka pasuruar uraniumin deri në 60 për qind pastërti me centrifuga më pak të avancuara. /REL