Kurti njofton se kanë hapur tenderin për ndërtimin e objekteve për banim të përballueshëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se e kanë hapur tenderin për ndërtimin e objekteve për banim të përballueshëm në katër komuna.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se tenderi për ndërtimin e objekteve për banim të përballueshëm kap vlerën mbi 38 milionë euro, ndërsa do të zbatohet në Pejë, Gjilan, Podujevë e Istog.

Hapja e tenderit për ndërtimin e objekteve për banim të përballueshëm vjen pas aplikimit për identifikimin e lokacioneve për objektet e banimit të përballueshëm në Kosovë, i cili u hap në muajin shkurt të këtij viti.

“Ta bësh Kosovën të jetueshme do të thotë ta bësh Kosovën të banueshme. Këtë e bën projekti ynë i Banimit të Përballueshëm, që siç e kemi premtuar edhe do ta realizojmë”,  ka shkruar Kurti.

Sipas Kurtit, nga fillimi i mandatit të tyre në Qeverinë e Kosovës kanë punuar për ta realizuar banimin e përballueshëm, të cilin e kishin premtuar.

“Në prill të vitit 2021 formuam komitetin këshillues për studimin e fizibilitetit; Në shkurt 2022 kemi pranuar studimin e fizibilitetit ku theksoheshin rrugët që duhet ndjekur, çështja e pronave dhe sfidat që parasheh ky projekt; Në shkurt të vitit 2024 hapëm thirrjen për të gjitha komunat që të aplikojnë për banim të përballueshëm; Në korrik 2024 miratuam në Qeveri projektligjin për këtë projekt; dhe Sot, 29 nëntor 2024 po e hapim tenderin për ndërtimin e objekteve për banim të përballueshëm”, ka thënë Kurti.

Ai ka paralajmëruar se ndërtimin e banimit të përballueshëm shumë shpejt do ta procedojnë edhe me nëntë komuna tjera që janë në procedurë, të cilat nuk i ka bërë të ditura.

“Do të sigurojmë banim për të gjithë. Banim të dinjitetshëm, jo vetëm strehim” – ka përfunduar Kurti.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, kishte njoftuar se është hapur aplikimi për identifikimin e lokacioneve për objektet e banimit të përballueshëm në Kosovë.

Më 09.02.2024 ai u kishte bërë thirrje komunave që të aplikojnë në këtë thirrje, në mënyrë që të identifikohen lokacionet e duhura për këtë projekt.

Ndërkohë, më 16.02.2024, Aliu i kishte bërë të ditura kriteret për përcaktimin e lokacioneve për ndërtimin e objekteve të banimit të përballueshëm, si dhe dokumentet e nevojshme për aplikim.