Selimi paralajmëroi padi shtesë për shpifje ndaj të dënuarit Limani
Vënia e flakës në shtëpinë e gazetarit të RTK-së, Alban Selimi, në mars të vitit 2023, ishte shkas i mbajtjes së seancës publike nga kolegji penal i Gjykatës së Apelit ndaj të akuzuarit Arsim Limani, i dënuar për rastin nga gjykata e shkallës së parë.
Si rezultat i ankesës së të akuzuarit në seancë, kolegji penal i Gjykatës së Apelit bëri të ditur se nga tash bëhet fjalë për vepër penale, rrezikim i përgjithshëm. Prokuroria e apelit ka propozuar që ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit të refuzohet si e pabazuar, ndërsa aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet.
Alban Selimi, palë e dëmtuar, ka thënë se do të vazhdojë të qëndrojë pas ndjekjes penale të të akuzuarit.
Mbrojtësi i palës së akuzuar, aktgjykimin e konsideron të padrejtë duke e cilësuar gjykatën të ndikuar nga media.
“Gjykata e Apelit do të duhej të rrinte larg ndikimeve të medieve edhe të vendosin..”, tha avokat i të akuzuarit.
I akuzuari Arsim Limani para trupit gjykues deponoi siç tha, “dëshmi” të transkriptuara ndaj palës së dëmtuar.
Por, pala e dëmtuar, gazetari Alban Selimi, paraqiti shqetësimin e tij si njollosje të personalitetit, ndërsa tha se do të ngrejë padi shtesë.
“Po të kishte elemente të tilla unë do ti isha në siklet para medieve edhe dje iu kam bë ftesë medieve që të vijnë dhe të përcjellin këtë seancë, sepse kam qenë dhe jam i bindur që krejt këto janë shpifje për të cilat pala do të paditet në Gjykatën Themelore për shpifje, sepse kjo është shpifje shumë e rëndë”, tha gazetari Selimi.
Pas shqyrtimit, trupi gjykues njoftoi palët se vendimi i kolegjit do t’u kumtohet palëve në afatin ligjor.