Publikohet letra e Arbër Pajazitit dërguar ndërkombëtarëve ku KKSH-në dhe partitë e tjera shqiptare i quan faktor destabilizues

Ka ditë që është duke vazhduar një debat verbal në rrjete sociale në mes të kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Nevzad Lutfiu dhe kryetarit të Bujanocit, Arbër Pajaziti.

Ka qenë Lutfiu ai i cili ka kërkuar sqarime Pajazitit që të publikojë letrën të cilën ia ka nisur ambasadave ndërkombëtare se shqiptarët janë faktor destabilizimi në Komunëne Bujanocit, shkruan Zeri.info.

Këto akuza të Lutfiut i ka mohuar kategorikisht Pajaziti, mirëpo Lutfiu para pak çastesh e ka publikuar një letër e cila supozohet se është shkruar nga Pajaziti i cili në cilësinë e të parit të Bujanocit ia ka dërguar ambasadave ndërkombëtare në Serbi.

E gjithë kjo, ka ardhur pasi shqiotarët po protestojnë kundër pasivizimit të adresave, e qe deri tani i ka mbajtur tri protesta paqësore, shkruan më tutje “Zëri”.

Duhet theksojmë se, pavarësisht se Arbër Pajaziti, ka fituar zgjedhjet në zgjedhjet e fundit komunale në Bujanoc, për shkak të mosmarrëveshjeve me partitë politike shqiptare, ai ka vendosur qe pushtetin ta ndaj me serbët, përkatësisht partinë e Aleksandar Vuçiqit dhe me romët, të cilët janë pakicë në këtë komunë.

Pavarësisht se ishte KKSH-ja ajo e cila ishte angazhuar për arritjen e një marrëveshjeje paszgjedhore qe pushteti të krijohet ndërmjet partive shqiptare, pasi që shqiptarët me regjistrimin e fundit të popullsisë janë shumicë në Bujanoc, një marrëveshje e tillë mes partive shqiptare nuk u realizua dhe sot Bujanoci udhëhiqet në një koalicion mes serbëve, shqiptarëve e romëve. /Zëri

Postimi i plotë Nevzad Lutfiut pa ndërhyrje: 

Të nderuar qytetarë, po e publikoj letrën e kryetarit të Komunës së Bujanocit për të cilën ju njoftova ditë më parë.

Në kundërpërgjigjen e tij ndaj shkrimit tim ai shprehet se "më i zëshëm kam qenë gjatë përiudhës kur në qytet shfaqeshin grafite antishqiptare". Grafitet antishqiptare nuk i përmend askund në këtë letër.

Pastaj thotë se nuk "ka përmendur grupacione të caktuara politike".

Në letër thotë se frymën e bashkëpunimit ndëretnik në Bujanoc po përpiqen ta prishin disa grupacione politike.

Letra është dërguar më datë 16.08.2024, katër ditë pas protestës në Bujanoc, letra është shkruar në gjuhën serbe.

Unë po e paraqes letrën në gjuhën shqipe bashkëlidhur edhe kopjen e letrës.

Poshtë letrës e jap dhe një sqarim.

Ekselenca e juaj,

Mesiguri e dini që si rezultat i zgjedhjeve të 2 qershorit, në Komunën tonë është formuar koalicioni udhëheqës i cili dallon shumë nga të tjerët sepse përfaqëson të gjitha bashkësitë etnike që jetojnë këtu.

Megjithatë, duket se këtë formë të sinqertë të bashkëpunimit po përpiqen ta pengojnë grupacione të caktuara politike të cilat po tentojnë të shkaktojnë jostabilitet jo vetëm në funksionimin politik por edhe në përkatesinë etnike.

Keto grupacione të cilat sipas gjitha gjasave bashkëpunojnë me struktura të ndryshme nga rajoni dhe me gjerë po përpiqen të reflektojnë ketu tek ne zhvillime të ndryshme që andej.

Ditëve të fundit po përballemi me situata tendecioze të cilat për Bujanocin më herët kanë qenë të panjohura.

Duke ju vlerësuar si miqë të vërtetë, ju lutemi qe sa më parë të na vizitoni dhe në këtë mënyrë të vërtetoheni në sinqeritetin e bashkëpunimit multietnik të cilin po mundohemi ta ndërtojmë nën udhëheqjen tonë.

Vizita juaj do të rriste klimën e besimit dhe do t'i heshte disa rryma të cilët po tentojnë që nëpërmjet keqpërdorimit të qytetarëve tanë të promovojnë qëllime të rrejshme duke e orientuar situatën në një drejtim të rrezikshëm.

Shpresojmë që do t'i përgjigjeni pozitivisht ftesës tonë dhe që do të shihemi shumë shpejt në Bujanoc.

Përzemërsisht

Arbër Pajaziti

Sqarim:

-Grupacionet e vetme politike që nuk janë pjesë e pushtetit në Bujanoc që e udhëheq Arber Pajazi, janë tri partit politike shqiptare (LPD, PD dhe PVD), për të cilat ai nuk i përmend me emra, por është e qartë si kristali në kë aludon.

-Këto rryma thotë po tentojnë që nëpërmjet keqpërdorimit të qytetarëve tanë të promovojnë qëllime të rrejshme duke e orientuar situatën në një drejtim të rrezikshëm.

Në linjë me shkresën e tij është edhe deklarata e Trupit Kordinues drejtor i së cilës është Nenad Mitrovici kryetar i SNS në Bujanoc (partner i koalicionit të Arber Pajazitit) i cili deklaron se "protesta në Bujanoc paraqet keqpërdorim të shqiptarëve me qëllim ngritjen e tensioneve të reja dhe destabilizimin e rajonit”.