Një bullgar i akuzuar për spiunazh për Rusinë “kishte diskutuar për vrasjen e gazetarit Grozev”

Një bullgar, që po akuzohet në Britani për spiunim për Rusinë, kishte diskutuar përmes mesazheve për mundësinë e rrëmbimit apo vrasjes së gazetarit hulumtues, Christo Grozev, thanë prokurorët britanikë gjatë gjykimit të anëtarëve të rrjetit të dyshuar të spiunimit.

Prokurorja Alison Morgan, tha se grupi i bullgarëve, të akuzuar se kanë spiunuar për Rusinë, e kanë përcjellë Grozevin. Një anëtar i grupit, Orlin Rusev, ka këmbyer mesazhe me kreun e rrjetit të supozuar, qytetarin austriak Jan Marsalek, në të cilin është diskutuar për rrëmbimin apo vrasjen e Grozevit.

Grozev ka punuar për median hulumtuese, Bellingcat. Ai ka udhëhequr hulumtimin e kësaj media lidhur me helmimin më 2018 të agjentit të dyfishtë rus, Sergei Skripal, në Angli.

Rusev tha bullgari tjetër, Biser Dzhambazov, janë deklaruar fajtorë për akuzat për spiunazh, ndërkaq tre të tjerë – Katrin Ivanova, Vanya Gaberova dhe Tihomir Ivanchev – aktualisht po përballen me gjykim në Gjykatën Penale Qendrore të Londrës, për pjesëmarrjen e tyre në rrjetin e spiunazhit.

Tre të pandehurit kanë mohuar akuzën se kanë spiunuar në periudhën nga gushti i vitit 2020 deri në shkurt të vitit 2023.

Prokurorët thanë në gjykatë se Rusev ka udhëhequr bullgarët dhe i ka udhëzuar ata pasi ka marrë instruksione nga Marsalek.

Marsalek – lidhjet e të cilit me inteligjencën ruse thuhet se datojnë që nga viti 2014 – tani besohet se gjendet në Rusi. /REL