Vdes një grua në një aksident në magjistralen Kaçanik – Han i Elezit, vetura ra në humnerë disa metra

Një grua ka vdekur sot si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur sot në magjistralen Kaçanik – Han i Elezit. Sipas Policisë, në rrethana të pasqaruara ajo ka humbur kontrollin mbi automjet dhe ka dalë jashtë rrugës, duke rënë në humnerë disa metra.

Rastin për gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

Veseli ka thënë se rasti po hetohet nga Njësia për Hetimin e Aksidenteve.

“Ju njoftojmë se më datën 29.11.2024, rreth orës 07:30, kemi pranuar një informatë se në rrugën magjistrale Kaçanik – Han i Elezit, te vendi i quajtur ‘Kulla me qeshmë’, ka ndodhur një aksident komunikacioni rrugor, ku është përfshirë një veturë. Ekipe të Policisë, zjarrfikësit dhe ambulanca kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Nga hetimet e para mësohet se një veturë Nissan, derisa ka qarkulluar në magjistralen Kaçanik – Han i Elezit, në rrethana ende të pasqaruara ka humbur kontrollin mbi automjet dhe ka dalë jashtë rrugës, duke rënë në humnerë disa metra. Si pasojë e këtij aksidenti një person e gjinisë femër, e moshës madhore ka humbur jetën, vdekja e së cilës është konstatuar nga mjekët në vendin e ngjarjes”, ka deklaruar Veseli.

Është publikuar edhe një fotografi nga vendi i ngjarje,s ku dyshohet se ndodhi vetë aksidenti.