Vargu i satelitëve të SpaceX përshkon qiellin e Kosovës

Mbrëmjen e së enjtes, qielli i Kosovës është ndriçuar nga një pamje mbresëlënëse: “treni i satelitëve” të kompanisë amerikane SpaceX, të njohur si Starlink.

Pamjet e këtij fenomeni janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, ku satelitët mund të shiheshin duke lëvizur njëri pas tjetrit në një formacion të rregullt, duke krijuar një spektakël qiellor.

Sipas të dhënave nga faqja që monitoron lëvizjet e satelitëve Starlink, “treni” ka kaluar mbi territorin e Kosovës në orën 17:31.

Ky fenomen është pjesë e vendosjes në orbitë të satelitëve të rinj, të cilët janë pjesë e një rrjeti global që synon të sigurojë akses në internet në zona të largëta dhe të vështira për t’u lidhur me rrjetet tradicionale.

Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka konfirmuar më herët se shërbimet satelitore të Starlink pritet të funksionalizohen në Kosovë në dhjetor të këtij viti.

Kjo pritet të sjellë përfitime të mëdha, sidomos për zonat rurale dhe malore, ku infrastruktura tradicionale e internetit ka qenë më pak e zhvilluar.

Me shërbimin e Starlink, përdoruesit do të kenë mundësinë të lidhjen me internet me shpejtësi të lartë, pavarësisht nga vendndodhja e tyre.

Çfarë është Starlink?

Starlink është një projekt i kompanisë hapësinore SpaceX, e themeluar nga miliarderi Elon Musk.

Qëllimi i këtij projekti është të ofrojë internet satelitor të shpejtë dhe të qëndrueshëm në mbarë globin.

Rrjeti përbëhet nga mijëra satelitë të vegjël, të cilët vendosen në orbitë të ulët të Tokës (LEO).

Ky rrjet aktualisht ofron mbulim në më shumë se 100 shtete dhe territore, duke përfshirë edhe disa nga rajonet më të izoluara të planetit.

Si funksionon?

Satelitët Starlink komunikojnë me përdoruesit në Tokë përmes antenave të veçanta që mund të instalohen lehtësisht.

Duke qenë në orbitë të ulët, këta satelitë ofrojnë vonesë të ulët (latencë) në krahasim me shërbimet tradicionale të internetit satelitor.

Kjo teknologji ka potencial të madh për të mbështetur jo vetëm përdoruesit e zakonshëm, por edhe sektorë të rëndësishëm si arsimi, shëndetësia dhe bizneset, veçanërisht në zonat ku lidhjet tradicionale janë të kufizuara.

Me hyrjen e Starlink në tregun kosovar, vendi pritet të bëhet pjesë e një rrjeti global të avancuar, duke hapur mundësi të reja për përmirësimin e infrastrukturës dixhitale dhe duke kontribuar në zhvillimin ekonomik e teknologjik.

Kjo lëvizje shihet gjithashtu si një hap përpara drejt integrimit më të madh të Kosovës në tregun ndërkombëtar të teknologjisë dhe komunikimit.