“Nëntori na bashkon”, Kurti uron dhe ndan pamje nga festa në Vlorë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar në Vlorë për nder të 28 Nëntorit, festës së pavarësisë së Shqipërisë.

Kurti ka publikuar disa pamje nga festa, derisa ka thënë se 28 Nëntori na bashkon.

“112 vjet më parë, në Vlorë shqiptarët u bënë bashkë. Idealet, parimet dhe synimi për arritjen e pavarësisë së Shqipërisë, ishin ç’ka bashkuan mendimtarë e veprimtarë patriotë të kombit më 28 Nëntor 1912. Na lanë një trashëgimi historike e detyrë kombëtare, që atdheun ta duam, ta mbrojmë, ta përparojmë. Sot e festojmë atë ditë, me shumë herë më pak vuajtje sesa në të kaluarën”, u shpreh ai.

Tutje, kryeministri ka shkruar se “e kemi më të lehtë sot të bëhemi bashkë, e të jemi bashkë. Sepse duhet të qëndrojmë bashkë. Për sa më shumë zhvillim e demokraci, mirëqenie e prosperitet për qytetarët tanë në Kosovë e në Shqipëri”.

“Këtë 28 Nëntor, me presidentin Begaj, kryeministrin Rama, kryeparlamentaren Spiropali e shumë miq e personalitete, e festuam në Vlorën e Pavarësisë, në qytetin që shënoi themelimin e shtetit shqiptar”.

“Dita e sotme e forcon te të gjithë shqiptarët ndërgjegjen dhe krenarinë kombëtare. Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Ditën e Flamurit!”.