Bislimi e Konjufca homazhe te shtatorja e Ismail Qemalit: Shpallja e pavarësisë në Vlorë vazhdoi me çlirimin e Kosovës

Kryetar i i Kuvendit, Glauk Konjufca, së bashku me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi kanë bërë homazhe te shtatorja e Ismail Qemailit në Prishtinë.

 

Konjufca tha se Ismail Qemali shpalli pavarësinë e gjithë kombit shqiptar, prandaj edhe Isa Boletini me gjithë ata luftëtarë ishin prezentë aty.

 

“Prej Isa Boletinit erdhëm te Ismail Qemali. Është shumë me rëndësi që e kemi në kryeqytetin tonë shtatoren e Ismail Qemalit. Ai që në emër të gjithë shqiptarëve e shpalli Pavarësinë e kombit tonë. Në këtë mënyrë e ka shpallë edhe pavarësinë e Kosovës sepse atëherë nuk e kishim këto ndarje që i kemi sot. Ai e shpalli pavarësinë e gjithë kombit shqiptar, prandaj aty nuk mund të mos ishte edhe Isa Boletini me gjithë ata luftëtarë të cilët e filluan kryengritjen në Kosovë dhe e cila kulmoi me shpalljen e Pavarësisë në Shqipëri”, tha ai.

 

Konjufca ka theksuar se 28 Nëntori i 1912-ës, vazhdoi me çlirimin e Kosovës përmes luftës së lavdishme të UÇK-së.

 

“Jemi pikërisht në këtë ditë të bekuar, në Ditën e flamurit tonë kombëtar e cila mori inspirim nga kthimi i Skënderbeut në Krujë, vazhdoi me shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, vazhdoi me çlirimin e Kosovës përmes luftës së lavdishme të UÇK-së dhe komandantit legjendar Adem Jashari dhe sot vetëm mund të urojmë që festofshim si shqiptarë gjithmonë të lirë dhe krenar”, u shpreh Konjufca.