Nëntorët shqiptarë - shtyllat historike të lirisë dhe pavarësisë kombëtare

Nëntori, muaj historikisht simbolik për shqiptarët, bart ngjarje që përfaqësojnë përpjekjet më të rëndësishme për liri, pavarësi dhe identitet kombëtar. Ky muaj përfshin tri momente të papërsëritshme në historinë e kombit shqiptar: ngritjen e Flamurit në Krujë nga Gjergj Kastrioti – Skënderbeu më 28 Nëntor 1443, shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë më 28 Nëntor 1912 dhe daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 28 Nëntor 1997. Këto ngjarje, të lidhura përmes një periudhe pesë-shekullore, përbëjnë themelet e qëndresës kombëtare dhe të ndërtimit të identitetit shqiptar.

Nëntorët shqiptarë – 1443, 1912 dhe 1997 – përfaqësojnë një lidhje të pandashme të përpjekjeve kombëtare për liri dhe pavarësi. Kjo festë është e pakrahasueshme dhe pazëvendësueshme për shqiptarët, duke mbetur një simbol i përbashkët që lidh Krujën, Vlorën dhe Drenicën.

Më 28 Nëntor 1443, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ngriti flamurin shqiptar mbi kalanë e Krujës, duke shpallur çlirimin e saj nga sundimi osman. Ky akt nuk ishte vetëm një fitore ushtarake, por një simbol i fuqishëm i rezistencës kombëtare kundër pushtuesve. Skënderbeu, një strateg dhe udhëheqës vizionar, u bë simbol i unitetit shqiptar dhe frymëzues për brezat e ardhshëm. Rezistenca e Skënderbeut nuk ishte thjesht një luftë për tokë, por një përpjekje për të ruajtur identitetin, kulturën dhe fenë në një kohë të rrezikut të asimilimit. Flamuri i tij, që bart simbolin e shqiponjës dykrenore, vazhdon të jetë simbol i krenarisë kombëtare dhe shprehje e aspiratave për liri dhe pavarësi.

Plot 469 vite pas çlirimit të Krujës, shqiptarët shënuan një tjetër moment historik të madh më 28 Nëntor 1912. Në Vlorë, nën udhëheqjen e Ismail Qemalit, u shpall Pavarësia e Shqipërisë, duke vendosur themelet e shtetit të parë të pavarur shqiptar. Ky akt përfaqësonte kulmin e një lëvizjeje shekullore për çlirim nga Perandoria Osmane dhe përbënte një kthesë vendimtare në historinë kombëtare. Shpallja e Pavarësisë u realizua në një kohë sfidash të mëdha. Gjatë periudhës që pasoi, Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1912/13) vendosi kufij që lanë jashtë Shqipërisë më shumë se 60% të territoreve shqiptare, duke përfshirë Kosovën, që iu aneksua Serbisë. Megjithatë, shpallja e Pavarësisë shënoi një fitore morale dhe juridike për kombin shqiptar, duke vendosur themelet për zhvillimet e ardhshme. Vlora, si epiqendra e këtij akti madhor, mbetet një simbol i rezistencës politike dhe shprehim i vullnetit të popullit për të pasur një shtet të pavarur. Kuvendi i Vlorës përfshiu përfaqësues nga të gjitha trojet shqiptare, duke treguar unitetin kombëtar dhe përkushtimin ndaj çështjes kombëtare.

Fundi i shekullit XX shënoi një tjetër kulm historik për shqiptarët. Më 28 Nëntor 1997, Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) doli publikisht në Llaushë të Skenderajt, duke shpallur vendosmërinë e popullit shqiptar për t'u çliruar nga sundimi serb. Kjo ngjarje përfaqësonte vazhdimësinë e qëndresës kombëtare, duke lidhur përpjekjet e UÇK-së me traditën historike të Skënderbeut dhe Ismail Qemalit. Dalja publike e UÇK-së ishte një akt guximi dhe frymëzimi, duke shënuar fillimin e fundit të represionit serb në Kosovë. Pas dekadash të persekutimit dhe spastrimit etnik, lufta e UÇK-së mishëroi aspiratat e popullit për liri, drejtësi dhe pavarësi. Drenica, si epiqendra e kësaj lëvizjeje, u bë simbol i sakrificës dhe qëndresës për lirinë e Kosovës.

Po më 28 Nëntor, në vitin 1955, lindi komandanti legjendar Adem Jashari, i cili mishëron heroizmin dhe sakrificën për çlirimin e Kosovës. Jashari u bë një ikonë e luftës për

liri, duke i dhënë kësaj date një dimension të ri simbolik. Familja Jashari dhe veçanërisht akti i tij heroik në Prekaz janë dëshmi e sakrificës sublime që shqiptarët bënë për liri.

Këto momente – çlirimi i Krujës më 1443, Pavarësia e Shqipërisë më 1912 dhe dalja publike e UÇK-së më 1997 – nuk janë thjesht ngjarje të veçuara historike, por hallka të pandashme të përpjekjeve të hqiptarëv për liri dhe pavarësi. Nëntori i bashkon këto ngjarje, duke i kthyer ato në simbole frymëzuese për të gjithë kombin shqiptar.

Kruja, Vlora dhe Drenica përfaqësojnë tri shtylla të rezistencës kombëtare, ndërsa 28 Nëntori mbetet një ditë ku historia, krenaria dhe aspiratat kombëtare ndërthuren për të përkujtuar të kaluarën dhe për të ndërtuar të ardhmen. Kjo datë, që mbart në vete sakrificën, qëndresën dhe triumfin, frymëzon brezat e ardhshëm për të ruajtur dhe zhvilluar identitetin kombëtar dhe lirinë e fituar me sakrificë.