“Vrapimi i Nëntorit” mbledh maratonistët nga trevat shqiptare në Prekaz

Për nder të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, është mbajtur gara “Vrapimi i Nëntorit”, ku pjesëmarrës ishin qindra qytetarë nga mbarë trevat shqiptare për të përkujtuar familjen Jashari.

Ky aktivitet është bërë tradicionale, pasi këtë vit po realizohet për të katërtën herë.

Qytetari nga Ulqini, Gabriel Grabanica, tha se për herë të tretë po merr pjesë në këtë maratonë, ndërsa e ka quajtur nder të shkelë në tokën ku kanë “lënë gjurmë dëshmorët e Kosovës”.

“Vij nga Ulqini, gjak dardan e ilir, por me shërbim jam atje. Është viti i tretë që marr pjesë në vrapimin e 28 Nëntorit prej Prekazit deri në qendër të Skenderajt. Gjurmë të dëshmorët dhe tokë që e kanë la me gjakun e lirë që ne me qenë të lirë. Është ndenjë e jashtëzakonshme dhe do të vazhdoj të marr pjesë në maratonë, këmbët tona do te shkelin në gjurmët që kanë shkel Ademi, Hamza e të gjithë dëshmorët. Një reflektim që me pasur me pasur një jetë më dinjitoze dhe me punua më shumë për kombin tonë. Kjo festë tregon që jemi të bashkuar dhe mundemi me qenë, por jetën e përditshme po harrojmë dhe jo si kemi dëshirë dhe si kemi pasur që populli ynë me qenë unik sidomos për gjëra më vendimtare për kombin. Në Mal të Zi nuk kemi përkrahje aspak jemi të lënë mbas dore. Asimilimi është në trend nuk jemi mirë që po shohim që as Kosova e as Shqipëria nuk janë mirë. Por jetojmë me shpresë se do të bëhet më mirë për vendin tonë”, ka thënë ai.

Vrapuesi i maratonave në Evropë, Skënder Gashi, ka deklaruar se maratona e sotme është më e shenjta për shkak të historisë së lavdishme.

“Jam vrapues i maratonave në Evropë dhe në vendet si ky i shenjtë këtu kam ardhur që të jem prezent jo me vrap, por t’i shikoj shokët. Kjo maratonë është diçka e veçantë sepse kjo jep një emocion të veçantë çdo kush që vjen këtu e din pse ka ardhë. Është dita më e madhe e kombit shqiptar. Për të gjithë për lirinë kjo ditë është e shënuar, është vendi i Adem Jasharit por është i gjithë shqiptarëve, ky është vendi më i shenjtë në rruzullin tokësor. Njerëzit bëjnë mijëra kilometra për të ardhur te ky vend dhe për mua është më i shenjti në Evropë”, ka deklaruar Gashi.

Organizatorja e kësaj maratone, Valdete Çollaku, ka theksuar se “Vrapimi i Nëntorit” ka për qëllim t’i mbledhë të gjithë vrapuesit nga trevat shqiptare për të nderuar 28 Nëntorin.

“Qëllimi i vrapimit të nëntorit është edicioni i katër ka qenë bashkimi i komunitetit të vrapuesve dhe festimi përmes vrapimit. Secilin vit kemi pasur rritje të vrapuesve, kemi vrapues nga të gjitha trojet shqiptare, kemi nga Ulqini, Tetova, Tirana, Shkupi e Presheva. Ne bëjmë pak për me i nderu legjendarët, por kjo aq e vogël ka peshën e vet. Qëllimi i maratonës është edhe bashkimi i trevave shqiptare”, ka theksuar Çollaku. /EO