Kurti: Qëndresa e Adem Jasharit me familje na e kujton çmimin e lirisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me rastin e 28 Nëntorit ka folur për projektin e kompleksit memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Ai ka thënë se në këtë vend të shenjtë që ruan gjurmët e veprës heroike të familjes Jashari “ne kthehemi e rikthehemi që të kujtojmë çmimin e lirisë, të cilën e gëzojmë sot”.
Kurti në një postim në Facebook tha se nuk do të kursehet asgjë për të ndërtuar një kompleks memorial të rëndësishëm, ashtu siç e meriton figura e Adem Jasharit dhe e familjes Jashari.
“Në këtë vend të shenjtë që ruan gjurmët e veprës heroike të familjes Jashari, ne kthehemi e rikthehemi që të kujtojmë çmimin e lirisë të cilën e gëzojmë sot. Nuk do të kursejmë asgjë për të ndërtuar një kompleks memorial të rëndësishëm ndërkombëtarisht, i cili do të pasqyrojë dinjitetshëm dhe me një nivel të lartë artistik, qëndresën dhe luftën e popullit për liri, pavarësi dhe bashkim, ashtu siç e meriton figura e Adem Jasharit dhe e Familjes Jashari. Gëzuar 28 Nëntori!”, shkroi Kurti në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.