Pajaziti: Gjobat s’do të na ndalin që ta ngremë flamurin më 28 Nëntor

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, njoftoi se mëngjesin e së mërkurës (27 nëntor) e kanë ngritur flamurin kombëtar shqiptar në godinën e Komunës dhe se aty do të qëndrojë deri të enjten rreth pas mesnatës.

Pajaziti theksoi se ndoshta është hera e parë që flamuri do të valojë aty rreth 48 orë, pasi në të kaluarën ka qëndruar rreth 20-24 orë.

“Këtë herë për shkak të një udhëtimi që e kam pasur në Tiranë, e kam vendosur një ditë më herët, kështu që flamuri është në godinën e komunës, mirëpo për fat të keq ai duhet të hiqet nesër pas mesnate”, deklaroi Pajaziti për Klan Kosova.

Më tej ai shtoi se ky veprim më shumë ka ngjallur reagime te opozita shqiptare ne Bujanoc sesa tek faktorët tjerë në Serbi, mirëpo që pret që ditëve në vijim të ngritet një padi nga gjykatat në Serbi për shkak se për ata kjo është një vepër e kundërligjshme.

“Normalisht do të pasojë një gjobë të cilën çdoherë kur ne ngrisim flamurin aty, ajo vjen pas kësaj. Edhe në të kaluarën kur kemi pasur padi të tilla dhe seanca gjyqësore, ne kemi deklaruar se ne këtë do ta bëjmë me vetëdije të plotë dhe se gjobat nuk do të na ndalin që ta ngrisim flamurin më 28 nëntor”, shtoi Pajaziti.