Shkaku i agjendës, Osmani s’merr pjesë në takimin e shefit të KE-së me liderët e Ballkanit

Presidentja e vendit Vjosa Osmani, nuk do të merr pjesë në darkën e shtruar për liderët e Ballkanit Perëndimor nga Presidenti i Kështilit të BE-së, Antonio Costa.

Këtë e ka konfirmuar për “Zërin” kështillari për media i Presidentes, Bekim Kupina, i cili tha se mungesa e Osmanit në këtë darkë e cila do të mbahet më 3 dhjetor, është për shkak të agjendës ndërkombëtare.

Osmani në ato data do të jetë për vizitë shtetërore në Brunei, transmeton Zeri.info.

“Për shkak të agjendës ndërkombëtare të paracaktuar dhe vizitës shtetërore tashmë të konfirmuar në Brunei, ku Presidentja Osmani do të udhëtojë me ftesë të Sulltanit të Bruneit më datë 2-3 dhjetor 2024, kabineti i Presidentes e ka informuar kabinetin e Presidentit Costa për pamundësinë e pjesëmarrjes kësaj radhe. Rrjedhimisht, si rezultat i kësaj, është rënë dakord që ftesa të delegohet tek institucionet e tjera në Kosovë”, tha Kupina.

Ai shtoi se Osmani do të udhëtoj më 4 dhjetor në Bruksel.

“Megjithatë, meqë Presidentja Osmani do të përfaqësojë Kosovën në Samitin BE-Ballkani Perëndimor më 18 dhjetor (ftesë tashmë e dërguar dhe konfirmuar), me qëllim të përgatitjeve dhe koordinimit sa më të mirë, Presidentja është dakorduar me institucionet e BE-së që të vizitojë Brukselin më datë 4 dhjetor (pra do të udhëtojë direkt nga Brunei) ku me Presidentin Costa dhe institucione të tjera të BE-së do të diskutojnë për pritshmëritë nga ky Samit”, tha Kupina për “Zërin”.