Aktakuzë kundër 10 personave për shitblerje të drogës

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër dhjetë të pandehurve O.F, A.U, A.K, SH.K, K.M, A.M, F.ZH, G.H, N.J, dhe V.K.

Prokuroria ka njoftuar se aktakuza është ngritur për shkak se dhjetë të pandehurit në vazhdimësi kanë kryer veprën penale: “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

“Rasti ka të bëjë me veprën penale të kryer gjatë viteve 2022 - 2024, ku të pandehurit duke vepruar si grup e me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm material, janë marrë me veprimtarinë e kundërligjshme të transportit të lëndëve narkotike të llojit marihuanë, që për qëllim kishte shitjen dhe shpërndarjen në territorin e Republikës së Kosovës dhe transportin e lëndëve narkotike në shtetin e Turqisë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. /Zëri