Festë kuqezi në Tetovë, Shkëndija merr tri pikë, nuk gabojnë favoritët
Java e 16-t e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut, e gjitha kaloi nën hijen e super derbit shqiptar, Shkëndija – Shkupi, e cila u mbyll me fitore të Shkëndijës.
Sigurisht se kjo ndeshje kishte edhe episodin e dytë, pasi në tribunat e stadiumit të Tetovës, pas më shumë se dhjetë viteve ishin dy tifo grupet shqiptare, “Ballistët” e Shkëndijës dhe “Shvercerat” e Shkupit, të cilët në disa momente kënduan së bashku, duke treguar mentalitet pozitiv të tifozërisë. Në këtë ndeshje “Ballistët” kremtuan edhe 32 vjetorin e themelimit të tyre si tifo grup.
Në terrenin e blertë Shkëndija ishte shumë më e mirë dhe e konfirmoi rolin e favoritit duke e fituar ndeshjen me rezultat 2-0. Adonis Shala ishte ai i cili hapi rezultatin në fillim të ndeshjes, kur po luhej minuta e 4-t, ndërsa më pas pothuajse e gjithë loja ishte në mesfushë, me disa përpjekje nga distanca që kishin të dy ekipet.
Në pjesën e dytë Shkupi e nisi me sulme të njëpasnjëshme, ndërsa Shkëndija priste ndonjë gabim për të sulmuar. Dhe kështu ndodhi në minutën e 62, kur Besart Ibraimi shënoi për 2-0 me një goditje nga distanca. Deri në fund nuk kishte shumë raste për gol, përveç se ndëshkimi i Ansah me kartonin e dytë të verdhë në minutën e fundit të ndeshjes, që la Shkupin me një lojtar më pak.
Gostivari ka marrë fitore shumë me vlerë në Shkup ndaj Vardarit, duke fituar me rezultat 0-2 dhe duke mbajtur hapin me kreun e tabelës. Ishte Diatta që shënoi në minutën e 63-t, ndërsa në minutën e 87-të, fitoren e vulosi Ivan Ivanovski.
Edhe Struga ka marrë tri pikë me shumë vlerë në duelin ndaj Pelisterit. Goli i vetëm i ndeshjes erdhi në minutën e 18-të, kur Kehinde më një super gol paralajmëroi fitoren e kampionit aktual. Edhe në vazhdim të ndeshjes Struga ishte më e mirë dhe kishte edhe disa raste për gol, por duke mos konkretizuar ato, por që në fund mori tri pikë të plota.
Rabotniçki ka marrë fitore ndaj Tikveshit cili është i fundit në tabelë. Ndeshjen me dy gola e hapi Atdhe Mazarit në pjesën e parë, ndërsa në të dytën .
Sileksi ka mundur Voska Sportin në Kratovë, edhe pse luajti me një lojtar më pak nga minuta e 33-t. Kur me të kuq u përjashtua Djekov. Skuadra shqiptare nga Ohri, Voska nuk arriti të shfrytëzojë këtë epërsi, ndërsa Sileksi fillimisht kishte shënuar në minutën e 23’ me Dodevin, ndërsa për 2-0 shënoi Ignatov. Në minutën e 74-t u mëndua se Voska do të kthehej në lojë, pasi shënuan për 2-1 me amerikanin Keith Larson, por vetëm dy minuta më vonë, Sileksi përsëri riktheu epërsinë prej dy golave me autor Aliç, ndërsa në të 80-tën, shënoi për rezultatin 4-1 më autor Donov.
Është mundur në shtëpi edhe Besa e Dobërdollit, e cila pësoi humbje nga AP Brera me golin që shënoi Mato në minutën e 61-t.
Kreu i tabelës nuk ka pësuar ndryshim, me tri ekipe që ndajnë pozitën e parë me nga 33 pikë. Sileksi, Shkëndija dhe Gostivari, Rabotniçki ka dy pikë më pak në vendin e katërt, ndërsa Struga qëndron në vendin e pestë me 29 pikë. AP Brera është e gjashta, Shkupi dhe Pelisterin kanë nga 16 pikë në pozitën 7 dhe 8, Besa është e nënta me 13, pasojnë Vardari dhe Voska me nga 12 dhe i fundit mbetet Tikveshi me 10 pikë. /Telegrafi/
Rezultatet: Shkëndija – Shkupi 2-0, Besa – AP Brera 0-1, Struga – Pelisteri 1-0, Vardari – Gostivari 0-2, Sileksi – Voska Sport 4-1 dhe Tikveshi – Rabotniçki 0-2.
Java e 17-të, e cila zhvillohet të dielën (01.12.2024 ora 13:00), sjell përsëri duele interesante mes ekipeve shqiptare, ku në Çair Shkupi është nikoqir i Strugës, në Ohër Voska Sport e pret Shkëndijën, Gostivar është nikoqir i Sileksit, ndërsa Besa udhëton në Manastir në përballjen me Pelisterin, në takimet tjera takohen AP Brera – Rabotniçki dhe Vardari – Tikveshi.