Gjykata e liroi, Berisha pritet nga qindra simpatizantë: Sot është dita kur Rama dhe monstra Soros dështuan përfundimisht

Të mërkurën gjykata vendosi heqjen e masës arrest shtëpiak për kreun e Partisë Demokratike Sali Berisha, i cili rreth orës 13:45 ka mbërritur në selinë e Partisë Demokratike ku është pritur me entuziazëm të madh nga shumë mbështetës e simpatizantë të tij të cilët kishin mbushur plot oborrin para godinës së PD.

Ai tha se përshëndeste çdo shqiptar dhe se kjo ishte dita kur Ed Rama dhe George Soros dështuan në tentativën sipas tij për të shaktërruar opozitën shqiptare.

Berisha mbajti një fjalim përpara turmës së mbështetësve të mbledhur në oborrin e selisë së PD-së. Ai i ka falënderuar ata dhe aleatët ndërkombëtar duke e konsideruar këtë ditë si fitore për opozitën në Shqipëri.

“Sot është Dita kur Edi Rama dhe monstra Xhorxh Soros dështuan përfundimisht. Sot mundi i 3 viteve triumfoi dhe u shpërblye. Ne qëndruam dhe vetëm qëndruam, për të vërtetën dhe vlerat që besojmë. Pas një kohe të gjatë që Shqipëria nuk sheh ditë të mira, sot është një ditë e mirë për shqiptarët. Sot është një ditë e mirë edhe për kundërshtarët e opozitës. Sot nuk fitoi Sali Berisha, sot fitoi e vërteta. Sot ka fituar Shqipëria. Këtë vit unë kam thyer rekordin në numrin e fjalimeve. Tani e tutje veprimi do të jetë kryefjala e Sali Berishës. Ka ende disa mesazhe që duhet t’u themi shqiptarëve. Dua të falënderoj çdo shqiptar dhe familjen time që mori një dozë të madhe të kësaj vuajtjeje”, tha Berisha.