Kosova dhe Shqipëria nënshkruajnë marrëveshje për njohjen e licencave të ndërmjetësuesve

U finalizua një marrëveshje historike mes Odës së Ndërmjetësuesve të Kosovës dhe Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësuesve të Shqipërisë për njohjen reciproke të licencave të ndërmjetësuesve.

Kjo marrëveshje, e nënshkruar nga Kryetarja e Odës së Ndërmjetësuesve të Kosovës, Ganimete Xhelili, dhe Kryetarja e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve të Shqipërisë, Drita Avdyli, shënon një moment të rëndësishëm për profesionalizimin dhe harmonizimin e praktikave ndërmjetësuese mes dy vendeve tona.

“Përfitimet e marrëveshjes janë të shumta, duke përfshirë mundësinë për ndërmjetësuesit që të ushtrojnë profesionin e tyre në të dy vendet përmes njohjes së ndërsjellë të licencave, zhvillimin e një standardi të përbashkët profesional në fushën e ndërmjetësimit dhe promovimin e zgjidhjes paqësore të konflikteve”, thuhet në njoftim.

Kjo marrëveshje jo vetëm që fuqizon ndërmjetësuesit si profesionistë, por edhe forcon lidhjet institucionale dhe kultivon një kulturë të re të drejtësisë alternative në rajon. /Zëri