Gjenden mbetje mortore në Suhodoll, dyshohet se i përkasin një viktime të luftës

Komisioni Qeveritar Për Persona të Zhdukur ka bërë të ditur se gjatë gërmimeve të së mërkurës në Suhodoll në Mitrovicë, janë gjetur dhe zhvarrosur mbetje mortore të një viktime, që potencialisht mund të jetë në Listën e Personave të Zhdukur.

Gërmimet janë realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Mbetjet mortore të zhvarrosura do të dërgohen për ekzaminimet e nevojshme mjekoligjore dhe identifikimin përmes analizës shkencore të ADN-së. Gërmimet janë realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore. Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur do t'iu mbajë të informuar për rezultatet e gjetjeve. Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për të vazhduar angazhimin dhe punën, duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, për t’i dhënë fund ankthit 24 vjeçar të pritjes së familjarëve për të ditur vendndodhjen e më të dashurve të tyre”, thuhet në njoftimin e Komisionit në Facebook.