Biden: Izraeli dhe Libani arrijnë marrëveshje për armëpushim

Joe Biden ka folur pas fjalimit të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili deklaroi se është pro marrëveshjes për armëpushim me Hezbollahun.

Presidenti amerikan thotë “Izraeli nuk e nisi këtë luftë” dhe as populli libanez, shkruan skynews.

“Që nga fillimi i luftës me Hezbollah, mbi 70 mijë izraelitë janë detyruar të jetojnë si refugjatë në vendin e tyre dhe mbi 300 mijë libanezë gjithashtu janë detyruar të jetojnë si refugjatë në vendin e tyre”, pohoi 82-vjeçari.

Biden thotë se sot është arritur një marrëveshje, e cila do të hyjë në fuqi nesër në orën 4:00, sipas orës lokale.

“Lufta përgjatë kufirit Izrael-Liban do të mbarojë. Kjo është menduar të jetë një ndalje e përhershme e armiqësive. Ajo që ka mbetur nga Hezbollah dhe organizatat e tjera terroriste nuk do të lejohet të kërcënojnë më sigurinë”, deklaroi lideri amerikan.

Duke shpjeguar planin, presidenti amerikan thotë se gjatë 60 ditëve të ardhshme ushtria libaneze dhe forcat e sigurisë të shtetit do të dislokohen dhe do të rikthejnë kontrollin mbi territorin e tyre.

“Infrastruktura e Hezbollahut në jug të Libanit nuk do të lejohet të rindërtohet. Dhe gjatë 60 ditëve të ardhshme, Izraeli do të tërheqë gradualisht forcat e tij”, pohoi ai.

Lideri amerikan gjithashtu thotë se SHBA-ja, me mbështetje nga Franca dhe aleatë të tjerë, “ka premtuar të punojë me Izraelin dhe Libanin për të siguruar që marrëveshja të zbatohet”.

“Ashtu si populli libanez meriton një të ardhme me siguri dhe mirëqenie, edhe populli i Gazës e meriton një të ardhme të tillë. Populli i Gazës ka kaluar nëpër ferr. Bota e tyre është shkatërruar. Shumë civilë në Gaza kanë vuajtur tepër shumë. Hamasi ka refuzuar për muaj me radhë të negociojë një armëpushim të ndershëm dhe një marrëveshje për pengjet. Prandaj tani Hamasi ka një zgjedhje për të bërë. E vetmja rrugëdalje për ta është të lirojnë pengjet, përfshirë qytetarët amerikanë që mbajnë”, tha ai.

Ndryshe, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka bërë të ditur se marrëveshjen për armëpushim do ta paraqes për votim në kabinetin qeveritar ndërsa homologu i tij libanez, Najib Mikati kërkoi që të ndërpritet menjëherë lufta mes Izraelit dhe Hezbollahut.