U përleshen pas lojës, përfundojnë në disiplinor lojtarët e Flamurtarit e të Vushtrrisë

Në futbollin kosovar është rikthyer dhuna.

Më saktësisht, në Ligën e Parë, pas ndeshjes së luajtur në fundjavën që shkoi mes Flamurtarit dhe Vushtrrisë u panë skena të turpshme.

Disa futbollistë të këtyre dy ekipeve, fillimisht u fjalosën, u fyen dhe më pas edhe u përleshën mes vete.

Për këtë, Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës, me në krye Abdyl Bollopojën, ka bërë inicime disiplinore ndaj disa futbollistëve, bazuar në raportet e delegatëve, kontrollorëve, zyrtarëve të FFK-së, incizimeve televizive dhe të dhënat nga protokollet zyrtare të ndeshjeve.

Me këtë rast, në disiplinor përfundoi futbollisti i Flamurtarit, Korab Hasanaj, i cili, në arsyetim thuhet se “pas përfundimit të ndeshjes duke shkuar në zhveshtore e kishte një diskutim të ashpër verbal me portierin e skuadrës mysafire, Arlis Shala, që përfundoi me grushtime mes tyre.

Gjithashtu, në disiplinor përfundoi edhe portieri i Vushtrrisë, Arlis Shala për të njëjtën arsye.

Edhe ndaj dy futbollistëve të Vushtrrisë, Ardin Dallku dhe Drilon Fazliu kanë nisur inicime disiplinore me arsyetimin se “pas përfundimit të ndeshjes, rrugës për në zhveshtore u përfshinë në përleshje.”

Ndërkohë, në disiplinor përfundoi edhe trajneri i Fushës Kosovës, Emin Bajrami, i cili “në minutën e 89-të pas anulimit të golit të vendësve, shan dhe fyen në drejtim të gjyqtarëve, ndërsa pas ftesës së gjyqtarit të katërt ndëshkohet me karton të kuq direkt dhe si rezultat e grushton në gjoks gjyqtarin e katërt dhe duke u larguar vazhdon me sharje dhe fyerje.”

Ndodhi kjo në ndeshjen mes Fushë Kosovës dhe Prishtinës së Re, po ashtu në Ligën e Parë.